Teksa ndodhej në Itali për mbledhjen e përbashkët mes qeverive, kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe një intervistë për gazetarin Bruno Vespa në “Cinque Minuti”. Kreu i qeverisë ka folur për marrëveshjen për emigrantët me shtetin fqinj dhe qendrën e ngritur në Gjadër, e cila është “bllokuar” momentalisht, për të cilën u shpreh se deri në qershor do të ketë një përgjigje “për të zhbllokuar këtë proces në nivel europian dhe për t’u dhënë shteteve diskrecionalitetin për vendet e origjinës dhe vendet e sigurta.”
“Ajo (Meloni) është një lidere që nuk heq dorë dhe, duket, pret rezultatin e kësaj përpjekjeje të përbashkët në nivel europian. Mendoj se deri nga qershori do të ketë një përgjigje në nivel europian për të zhbllokuar këtë proces në nivel europian dhe për t’u dhënë shteteve diskrecionalitetin për vendet e origjinës dhe vendet e sigurta.”, u shpreh Rama.
Pyetur për interesin e vendeve të tjera për të bashkëpunuar për një marrëveshje të tillë si Britania e Madhe, kryeministri tha se “është një ekskluzivitet i marrëdhënies shumë të veçantë me Italinë.”
Ndalur te mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, Rama u shpreh se marrëveshjet e nënshkruara, sidomos në industrinë e mbrojtjes janë të rëndësishme. Kreu i qeverisë përmendi edhe projektin për të ndërtuar një linjë interkonjeksioni mes Lindjes dhe Perëndimit që përfshin Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italianë.
U pyet gjithashtu edhe për luftën në Ukrainë dhe lëvizjet që duhet të bëjë BE, për të cilën kryeministri ka shprehur edhe më herët kritika në qasjen e tij. Rama thotë se Evropa duhet të ketë një plan paqeje t’i dhënë sa më shpejt fund konfliktit me Rusinë.
“Unë besoj se përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje ne duhet të kërkojmë t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër që, sipas meje, është shumë shqetësuese. ‘Kur do ketë Europa një plan paqeje dhe kur do jetë në gjendje mbarë komuniteti politik dhe europian të shpjerë përpara një ide sesi të mbyllet ky konflikt pa i hequr asgjë mbështetjes për Ukrainën?”, shtoi ai.
Sa i përket Diellës, ministres virtuale, Rama tha: “Detyra e saj është të përpiqet t’i bëjë shumë më të shpejta, shumë më transparente dhe shumë më pak të prekshme nga subjektiviteti njerëzor, le të themi, proceset e shërbimeve për qytetarët dhe, mbi të gjitha, prokurimet publike.”
Intervista me gazetarin italian Bruno Vespa:
Bruno Vespa: Mirmbrëma Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, socialist, i rizgjedhur këtë pranverë për mandatin e katërt. Atëherë, Giorgia Meloni dje tha se plani Itali–Shqipëri për emigracionin do të vazhdojë, pavarësisht përpjekjeve për ta bllokuar. A e konfirmoni këtë?
Kryeministri Edi Rama: Ajo është një lidere që nuk heq dorë dhe, duket, pret rezultatin e kësaj përpjekjeje të përbashkët në nivel europian. Mendoj se deri nga qershori do të ketë një përgjigje në nivel europian për të zhbllokuar këtë proces në nivel europian dhe për t’u dhënë shteteve diskrecionalitetin për vendet e origjinës dhe vendet e sigurta.
Bruno Vespa: Ka një interes të madh nga Europa për këtë formulë, ndër të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Disa vende kanë eksploruar mundësinë për të punuar me ne dhe për të përsëritur këtë model, por ne kemi refuzuar pasi ai është një ekskluzivitet i marrëdhënies shumë të veçantë me Italinë.
Bruno Vespa: Lidhur me këtë, është hera e parë që në një mbledhje dypalëshe, dje, të gjithë ministrat e vendit mik të flisnin në italisht.
Kryeministri Edi Rama: Nuk besoj se mund të ketë një qeveri tjetër, përveç tonës, që do fliste 100% italisht si qeveria italiane. Dhe kjo me siguri pasqyron shumë gjëra, por para së gjithash, pasqyron faktin se në një mënyrë a në një tjetër shqiptarët ndihen edhe italianë.
Bruno Vespa: Atëherë, ju nënshkruat dje një numër të madh marrëveshjesh, ushtarake, shëndetësore, me pak fjalë shumë marrëveshje. Cilat janë më të rëndësishmet?
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se ato që kanë të bëjnë me industrinë e mbrojtjes janë të rëndësishme. Ato që kanë të bëjnë me energjinë dhe, mbi të gjitha, puna për projektin e ri të përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë për të ndërtuar këtë linjë interkoneksioni mes Lindjes dhe Perëndimit që përfshin Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italianë, është shumë e rëndësishme. Më tej, janë të rëndësishme edhe projekte të tjera që kanë të bëjnë si me sigurinë, luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar ashtu dhe me mjedisin apo, siç e thatë me të drejtë ju, me shëndetësinë.
Bruno Vespa: Atëherë, çfarë do ndodhte nëse Ukraina do e humbte luftën me Rusinë?
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje ne duhet të kërkojmë t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër që, sipas meje, është shumë shqetësuese. ‘Kur do ketë Europa një plan paqeje dhe kur do jetë në gjendje mbarë komuniteti politik dhe europian të shpjerë përpara një ide sesi të mbyllet ky konflikt pa i hequr asgjë mbështetjes për Ukrainën?’ Por nëse nuk duam një inerci që do e shndërronte Europën në një faktor të parëndësishëm dhe që do e vinte atë para një fakti të kryer që mbase nuk do na pëlqejë, duhet të përpiqemi t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje: ‘Si mundet Europa të shpjerë përpara një ide paqeje?’
Bruno Vespa: Atëherë, ju do hyni në Europë brenda vitit 2030. Por gjëja që më ngjall kureshtje është se pjesë e qeverisë tuaj është një ministër, një ministre virtuale, Diella, fryt i inteligjencës artificiale. Ju e krijuat atë për të luftuar korrupsionin.
Kryeministri Edi Rama: Po, sidomos për këtë. Diella, siç e thatë ju, është një produkt i inteligjencës artificiale. Është një anëtar i qeverisë. Në muajt e ardhshëm do marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë. Më tej, ndoshta në fund të pranverës, mund ta sjellim edhe në ‘Porta a Porta’ për të bërë një intervistë me ju.
Bruno Vespa: Me shumë kënaqësi.
Kryeministri Edi Rama: Dhe detyra e saj është të përpiqet t’i bëjë shumë më të shpejta, shumë më transparente dhe shumë më pak të prekshme nga subjektiviteti njerëzor, le të themi, proceset e shërbimeve për qytetarët dhe, mbi të gjitha, prokurimet publike.
Bruno Vespa: Faleminderit Kryeministër. Urime për vendin tuaj dhe për miqësinë me Italinë.


















