Në një intervistë ekskluzive për A2CNN, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe konfirmon se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm, për sa kohë reformat në drejtësi dhe sundimi i ligjit vijojnë me ritëm të qëndrueshëm.
Gazetari: Zonja Kos, së pari, faleminderit për këtë mundësi. Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave me grup-kapitujt. Në cilën fushë mendon Komisioni Evropian se ka progres më të madh dhe më domethënës dhe a është objektivi i parashikuar për mbylljen e negociatave në vitin 2027 realist dhe i arritshëm nga qeveria shqiptare?
Komisionerja Kos: Shqipëria ka arritur me të vërtetë sukses të jashtëzakonshëm në dy vitet e fundit dhe nëse do të doja të veçoja atë çka ishte shumë e suksesshme, është reforma e sistemit gjyqësor, ndërtimi i institucioneve të pavarura antikorrupsion si SPAK-u, dhe ajo që më pëlqen të shoh në Shqipëri është se kjo frymë pro-evropiane është vërtet shumë e lartë dhe kjo është gjë e mirë. Nuk është puna vetëm se çfarë po bën qeveria, nuk është puna vetëm çfarë po bën parlament, dhe kjo është ajo që ndiej dhe shoh sa herë që vij në Shqipëri. Pra, po, i kemi hapur gjithë grup-kapitujt, por kjo do të thotë që tani duhet t’i mbyllim gjithë kapitujt. Për t’u kthyer te pyetja juaj në lidhje me afatin, qeveria juaj ka vendosur një objektiv shumë ambicioz për ta përfunduar pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Është e realizueshme, Komisioni Evropian po e mbështet këtë, por ka ende shumë punë për të bërë sepse, siç e dini, tani do të kalojmë te kapitujt teknikë si bujqësia, siguria ushqimore, ekologjia, dhe ka ende shumë e shumë reforma që vendi juaj duhet t’i bëjë në këto fusha, por sigurisht që ne do t’ju ndihmojmë.




















