“Çdo të premte është dita e gjykimit”. Kështu flet, i ulur në një tavolinë të Caffè Pushkin, vend ku ndërthuren të gjitha format e pushtetit, jo një aktivist i guximshëm i Putinit, i cili do të ndihej edhe pak në siklet në një mjedis që me siguri dëgjohet mirë. Por një nga opinionistët televizivë më të njohur, një ndjekës i zjarrtë i ortodoksisë putiniane.
Diçka po ndryshon në shoqërinë ruse. Dhe shumë shpejt. Dhe sigurisht jo për mirë. Në vitin 2012, Vladimir Putin që sapo ishte kthyer në Kremlin shpalli kategorinë e “agjentit të huaj”. “Mos kini frikë,” tha ai, “është thjesht ekuivalenti i FARA-s amerikane, akti i regjistrimit të organizatave joqeveritare të huaja.” Dhjetë vjet më vonë, vetëm 115 subjekte kishin marrë atë etiketë gjithsesi të padëshiruar.
Disa muaj pas fillimit të luftës, Kremlini miratoi një ligj të ri, “Për kontrollin e aktiviteteve të personave nën ndikim të huaj”. Në atë kohë, ai u duk si një nga shumë aktet e menduara për të përjashtuar gazetat e pavarura dhe në përgjithësi të gjitha zërat kundër ashtuquajturës “Operacion ushtarak special”. Një lloj damke turpi.
Çdo opinion i publikuar në rrjetet sociale nga personat e shënuar në këtë mënyrë duhej të mbante përshkrimin përkatës. Me disa kufizime ekonomike, personat e prekur nga kjo masë mund të vazhdonin jetën e tyre, në Moskë ose jashtë vendit.
Tani nuk është më kështu. Përforcimi i fundit i ligjit, që fut përgjegjësinë penale pas një shkeljeje të vetme administrative, hyri në fuqi më 26 tetor të kaluar. “Ndikimi i huaj” përkufizohet në mënyrë aq të gjerë sa përfshin jo vetëm përfitimin financiar, por edhe çdo “ndihmë nga jashtë” apo edhe përpjekje për “detyresë apo bindje”. Janë kritere kaq të paqarta e të gjera, sa që mjaftojnë për t’i marrë frymën çdo disidenti.
Kësaj i shtohet një shtrëngim tjetër në aspektin ekonomik. Pensioni i personit të dënuar pezullohet, ndërsa të gjitha të ardhurat e tij kalohen në një llogari të posaçme bankare, të paarritshme për të, deri në momentin kur të vijë falja.
Anna Rivina, themeluese e organizatës më të rëndësishme kundër dhunës në familje, e ka shpjeguar mirë në çfarë konsiston evolucioni i këtij koncepti: “Para vitit 2022, na ndalohej vetëm organizimi i eventeve. Më pas, çdo aktivitet pedagogjik dhe pranimi i donacioneve. Rrethi u ngushtua gjithnjë e më shumë dhe u detyruam të largoheshim”.
Por risia më e madhe është një tjetër. Tani, çdokush mund të bëhet “agjent i huaj”. Madje edhe më besnikët ndaj vijës. Ankthi i së premtes, kur Ministria e Drejtësisë, pranë së cilës është depozituar regjistri i Agjentëve të Huaj, publikon përditësimin e listës, pa dhënë kurrë arsye – vetëm emrat – po kthehet në një përvojë të përbashkët për çdo anëtar të elitës ruse.
Gjithçka filloi këtë verë, me të pabesueshmin Sergey Markov, politolog dhe ish-këshilltar special i Putinit. Dukej si një ndëshkim për pjesëmarrjen e tij në një konferencë të organizuar nga Azerbajxhani.
Edhe i moshuari Mikhail Gusman, zëvendësdrejtor i agjencisë Tass që prej vitit 1999 dhe besnik i presidentit, u dërgua në pension pasi mori pjesë në atë aktivitet. Por më pas erdhi radha e Roman Alyokhin, bloger Z dhe korrespondent lufte. Për të u mendua për një përdorim të pakujdesshëm të fondeve të mbledhura për trupat. Sigurisht që nuk e ndihmoi fakti që ekspozoi në rrjete një makinë luksoze dhe fushata kundër tij e nisur nga Vladimir Solovyov, kampioni i propagandës televizive dhe njeri i sistemit. Tatyana Montyan, avokatja me origjinë ukrainase që u bë një nga figurat e kanalit shtetëror Russia Today, bëri një “kërcim të trefishtë”, duke përfunduar drejtpërdrejt mes “ekstremistëve-terroristë”. Alyokhin denoncoi “një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”, duke harruar postimet e tij në mbështetje të një “gjenocidi ukrainas”.
Deri këtu, kronika e ftohtë. Ekzistojnë disa interpretime për atë që po ndodh. Asnjëra prej tyre nuk jep arsye për optimizëm. E para, më minimaliste, mbështet hipotezën e një rregullimi hesapesh midis veteranëve të propagandës dhe galaksisë ultranacionaliste, akoma më ekstreme se ata dhe më pak e kontrollueshme nga maja e pushtetit.
Ndërkohë, mes vëzhguesve të huaj të pranishëm në Moskë, mbizotëron një interpretim tjetër. Kualifikimi si “agjent i huaj” është bërë një tjetër instrument i Putinit për të rimodeluar shoqërinë dhe për ta përgatitur për një fazë të re të mundshme. “Mes ekonomisë dhe luftës, Kremlini do të zgjedhë gjithmonë të dytën”, shpjegon një burim institucional i besueshëm, i cili për arsye të kuptueshme kërkon anonimat. “Do të vijnë kohë edhe më të vështira. Për këtë arsye, është në zhvillim një taktikë represive që synon maksimizimin e frikës: askush nuk është i mbrojtur”. (Corriere della sera)




















