Nga Eduard Zaloshnja
Kur gjyqtari i ndeshjes së futbollit Angli-Serbi i fryu birbilit përfundimisht tri herë në stadiumin Wembley në Londër, u vulos matematikisht vendi i tretë i Serbisë në grupin kualifikues për kampionatin botëror – një vend më poshtë Shqipërise.
Edhe para një dekade, ne e lamë mbrapa Serbinë në grupin kualifikues për kampionatin europian. Por këtë e arritëm pas një fitoreje 3-0 në tavolinë (për shkak të brutalitetit të tifozëve serbë në Beograd), dhe pas një humbjes tonë të hidhur në Elbasan 0-2…
Kurse tani e lamë mbrapa Serbinë pas një barazimi 0-0 në Tiranë (ku Manaj nuk shënoi dot penalltinë e parë dhe të vetme tonën në historinë e përballjeve me Serbinë), dhe pas fitores tonë 0-1 në Leskovac (ku Manaj shënoi golin më kryevepër të karrieriës së tij të derisotme).
Në përballjet tona futbollistike të mëparshme me Serbinë, ne nuk kemi patur shumë kutjime të gëzuara, përveç eliminimit të Partizanit të Beogradit nga Flamurtari i Vlorës në Kupën UEFA më 1987.
Sidoqoftë, sot për sot, jemi sipër Serbisë në futboll – kësaj here në fushën e blertë, e jo në tavolinë…




















