I vetmi ndryshim i madh mes Fatos Nanos dhe çdo politikani tjetër shqiptar është se ndryshe nga të tjerët, ai ikte.
Ai është politikani i parë i tranzicionit që futi kulturën e ikjes në politikën shqiptare. Nga shkurti i vitit 1991 deri në qershor 1991 ai iku nga dy qeveri, duke i hapur rrugë dhe duke u dhënë votën dy qeverive të tjera të përbashkëta me PD ende të paprovuar: qeverisë Bufi–Pashko dhe qeverisë teknike të Ylli Bufi–Vilson Ahmetaj.
Pra, brenda 15 muajve të parë të pluralizmit, falë Fatos Nanos, Shqipëria ndërroi pesë qeveri, duke llogaritur edhe atë të fundit të Adil Çarçanit ku Fatos Nano u bë Sekretar i Përgjithshëm.
Asnjë prej sojit politik të 35 viteve nuk do ta bënte këtë dhe nuk do të tregonte këtë dimension tolerance, duke rrëzuar qeveri çdo tre muaj pa pasoja të rënda as nga ana njerëzore, as nga konfliktet sociale.
Ndryshe nga kultura politike që Nano futi në politikën shqiptare më 1992, PD-ja, e cila mori pushtetin në mars 1992 dhe e humbi atë në korrik 1992 në zgjedhjet lokale, u përgjigj ndaj rënies së besimit popullor me arrestimin e Fatos Nanos.
Pra, nëse i pari iu përgjigj humbjes së mbështetjes popullore duke rrëzuar qeveritë e veta dhe duke ndërtuar qeveri të përbashkëta, Sali Berisha iu përgjigj duke arrestuar kundërshtarin.
Edhe i burgosur, Fatos Nano bëri betejat e tij politike me partinë e tij, duke imponuar ndryshimin nga burgu.
Në vitin 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, edhe pse u akuzua si autor, ai në fakt nuk iku se ishte fajtor, por se ishte përgjegjës si kryeministër i Shqipërisë për vrasjen e një aktori politik opozitar.
Pra, ai iku pse nuk shpëtoi dot Azemin nga Berisha, ndërsa Berisha më 2011 vrau katër vetë për të qëndruar në pushtet si “i forti që të vret”.
Edhe pse kishte votat dhe mbështetjen për t’u rizgjedhur, ai ua dha qeverinë për pesë vite Pandeli Majkos dhe Ilir Metës — të dy nga dy herë kryeministra — ndërkohë që Fatos Nano vazhdonte si kryetar partie.
Në vitin 2002, kur ai u kthye si kryeministër deri në vitin 2005, ai ndërpreu disa reforma transformuese në ekonomi, por humbi betejën me korrupsionin në administratë dhe qeverisje, dhe falë vetëbesimit të tepruar humbi zgjedhjet e vitit 2005.
Pasi humbi zgjedhjet, ai i kishte përsëri të gjitha mundësitë të qëndronte në krye të PS-së. Por ai iku. Iku dhe nuk emëroi pasardhës.
Partinë Socialiste e mori një i ri ambicioz, i rritur me këmbët e veta — Edi Rama — dhe socialistët patën meritën që e pranuan.
Fatos Nano doli në pension politik pak më shumë se në moshën 52 vjeç, aq sa ishte Sali Berisha në vitin 1997 kur populli e rrëzoi me kryengritje.
Prej asaj dite e deri më sot, Fatos Nano iku nga politika me vetëdije dhe nuk u mor më me politikë.
Prej 1997 e deri më sot, Sali Berisha ka ikur e është kthyer nga pushteti dhe partia, duke qëndruar ende në krye si pengmbajtësi i madh i saj.
Bëni vetëm këtë krahasim për të kuptuar se çfarë nderi i ka bërë PS-së, Fatos Nano, duke ikur dhe duke e lënë të rritet vetë, dhe çfarë dëmi i ka bërë Sali Berisha PD-së, duke mos ikur dhe duke mos e lënë të rritet jashtë hijes së tij.
Të dy kanë ikur nga pushteti në moshën 52 vjeç, njëri më 1997 e tjetri më 2005.
Sali Berisha po shkon tetëdhjetë e ca vjeç duke mos ikur, kurse ai po shkon në parajsë vetëm se ka ditur të ikë.
Dhe ky është nderi që socialistët nuk duhet t’ia harrojnë kurrë Fatos Nanos.
As Shqipëria, e cila ende nuk ka një të dytë si ky për t’i thënë vetes “mjaft” kur humbet./TEMA




















