Shënime për romanin ‘Dielli në mërgim’ të shkrimtares Ani Wilms)

1.

Romani ‘Dielli në mërgim’ i Ani Wilms nuk synon të ‘rrëfejë’ thjesht një histori, por, nëpërmjet imagjinatës krijuese, të rindërtojë një botë që nuk ekziston veçse në kujtesën njerëzore. Nuk kemi të bëjmë me një prozë historike, as me një kronikë, as me një rrëfim emocional, por me një dëshmi, me kujtesën të sublimuar në art.

Në qendër të romanit është bashkësia hebraike e Vlorës, një subjekt i patrajtuar më parë me këtë qartësi dhe përkushtim për ta sjell në vëmendjen e lexuesit në letërsinë shqipe

Me mjeshtërinë autoriale, Wilms nuk i qaset subjektit në mënyrë sentimentale apo folklorike apo edhe nuk e demonizon në raste të kundërta. Ajo është thellësisht e kujdesshme dhe ia arrin të japë jë formë të re, një frymë që e tejkalon kufirin kombëtar dhe e vendos atë në kontekstin e zhvillimeve të letërsisë evropiane.

Kjo është një ndër arsyet se pse romani nuk mund të lexohet vetëm si një histori e luftës dhe e pasluftës në Shqipëri, si një rrëfim për vuajtjen e hebrenjve apo si një sagë familjare, ngase është shumë më shumë se kaq. Në të kemi shtresëzime të historisë biblike, një tekst që komunikon jo vetëm me bashkëkohësinë e personazheve, por shkon deri në kohën e Moisiut, me psalmet e Babilonisë, me ëndrrat e Davidit, me mallin e Sionit, me librin e Esterit, me mbretërit dhe profetët.

2.

Në hyrje të romanit, shkrimtarja ndërton një imazh për hebrenjtë e Vlorës si pjesë e një rinie të humbur, një bote të mençur dhe të ndërtuar me punë, tregti, edukim dhe etikë. Brenda kësaj bote të pasur gjejmë ritet, humorin, thashethemet, zakonet, martesat, leximet, muzikën, mandolinat, këpucët e Purimit, recitimet e psalmeve, hijeshinë e grave të Vlorës dhe solemnitetin e burrave të Greqisë së Jugut.

Pikërisht mbi këtë peizazh të paqtë, fryjnë erërat e së keqes dhe të tragjedisë: holokausti, zhdukja e Janinës, shfarosja e Korfuziotëve, djegia e Artës, koncentrimi në kampet e Polonisë.

Kjo tragjedi nuk qëndorn në vepër si e largët, por shfaqet e gjallë, e praishme, saqë protagonisti (Josefi) i sheh të vdekurit në ëndrra. Ai i ndjen mbi trup tymrat, foshnjat e Helgas, gratë që thërrasin emrat e femijëve, dioksidin e karbonit që i futet në mushkëri. Nuk kemi thjesht një traumë personale, por është ndjeshmëria e qenies për të ngjashmit nga populli i vet. Josefi nuk mund të largohet prej së shkuarës, sepse ajo është stampuar në shpirtin e tij ashtu si psalmet që ai dëgjon nga fëmijëria.

3.

Wilms nuk ndërton personazhe bardhëezi apo nga perspektiva dikotonimike ‘i mirë-i keq’. Sipas rrëfimit, komunizmi dhe diktaturat nuk janë thjesht sisteme politike, por janë rite force që e zhveshin njeriun, e dehumanizojnë, i heqin individualitetin dhe e shndërrojnë në turmë, në kor, në zë të zbrazët. Aulona Gega është figura më e fortë e këtij rrëzimi. Një grua e bukur, e fortë, e rregullt, e mençur, që historia do ta varrosë si “armike e popullit” vetëm sepse udhëheqësit e rinj kanë nevojë për një armike të re. Skena ku përshkrohet ajo me flokët e shkulur, fytyra e shkarravitur apo shikimi i djegur, është nga momentet më të rëndë të romanit dhe një nga aktet e veçanta ku letërsia shqiptare arrin sublimen në përshkrimin e dhunës. Dhuna nuk është pornografike, është sakrale, e heshtur, e patolerueshme. Në kontrast me këtë brutalitet, autorja vendos humorin e Albertit dhe filozofinë e doktorit Q. Ata nuk janë thjesht personazhe lehtësues, por kundërpesha morale: individë që përballë tiranisë ofrojnë jo dhunë, por urtësi, intelekt, humor, dëgjesë.

4.

Një element i veçantë në vepër, që sendërton karakterin dhe personalitetin e protagonistit kryesor, është mungesa e Fortunës, motrës së dashur të Josefit, dashuria për të cilën nuk ka mbarim. Ajo nuk është më, është shuar në errësirën e një kampi diku larg, mirëpo prania e saj është aq e madhe, sa kapërcen vdekjen dhe bëhet pjesë përhershme e ritmit të rrëfimit. Fortuna është kujtesë, është traumë, është shëmbëlltyrë e dashurisë që nuk plaket. Në të njëjtën kohë, Aliki, vajza johebreje, e bukur, e artë, e edukuar në Korfuz, është një pranverë që hyn në jetën e Josefit si melodia e një instrumenti të harruar. Ajo është vajza e Esterit, e qytetërimit, e dritës. Josefi e sheh, e përfytyron, e dëshiron, por e di se dashuria e tij nuk i përket vetëm zemrës, sepse ajo është e lidhur me një botë të tërë, me identitet, me popull. “Të martohem me një shqiptare? Pse jo? Po ta pranojmë te lidhja e Abrahamit?” – pyet ai me një naivitet të dhimbshëm. Ky kontrast midis dashurisë individuale dhe besimit kolektiv është një nga konfliktet më të thella të romanit.

Përveç kësaj, në vepër Josefi na paraqitet me mision, sepse qëllimi i tij është rikthimi në origjinë, ‘në tokën e shenjtë’. Ai e përfytyron vetveten si misionar që do të shpëtojë popullin e vet. Në vizionin e tij të dritshëm, mbretërit biblikë, ushtritë e Davidit, figura e Moisiut, të gjithë e mbështesin. Kjo nuk është metaforë, por është struktura metafizike e romanit. Shohim kështu lindjen e një Moisiu të ri, të një udhëheqësi, të një njeriu që e ka kuptuar se zemra e tij është e lidhur pas një populli të vuajtur dhe të shpërndarë në të katër anët e globit. Ai do të vijë për ta marrë, do të çajë izolimin dhe do të çojë bashkësinë në Izrael, ashtu siç libri i shenjtë e ka kërkuar.

Një nga gjetjet më të bukura të romanit është dyzimi i atdheut. Vlora është shtëpia, ndërsa Jeruzalemi është premtimi. Në Shqipëri mori mbrojtje, kurse në Izrael do të gjejë rrënjët.

Ani Wilms nuk i bie askund nderit kombëtar, por e vendos atdheun në një kornizë morale, ku një popull i vogël i shpëtoi hebrenjtë, por ka rënë në zinxhirët e një tiranie të re. Josefi e përmbyll këtë dualitet me një psalm që përmbledh gjithë romanin: “Në të harrofsha ty, o Vlorë, m’u thaftë dora e djathtë.” “Po Jeruzalemin – mbi çdo gëzimin tim.”

5.

Në romanin ‘Dielli në mërgim’ Ani Wilms përdor një gjuhë rrjedhëse dhe të qetë, një stil të rregullt dhe jo të tensionuar, një ritëm që nuk bën zhurmë, as kur përshkruan katastrofën, as kur përshkruan mirësinë, as kur përshkruan një bashkësi që ringrihet nga hiri. Thjeshtësia me të cilën rrëfehen ngjarjet është forca më e madhe artistike e veprës. Është një letërsi ku përzierja e dhimbjes, shpresës, dritës dhe heshtjes krijon një univers të veçantë. Wilms nuk synon të ndërtojë thjesht një histori apo një dramë njerëzore, por synimi i saj i arrirë është të krijojë një rrëfim të ringjalljes, një poemë të mërgimit, një kthim të dritës dhe, mbi të gjitha, është një letërsi me përmasa sublime, sepse arrin ta shndërrojë dhimbjen në art dhe artin në destin.