Familja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij dhe respektin për kontributin që ai ka dhënë në politikën shqiptare.

Në mesazhin e familjes Thaçi theksohet se kujtimi për Fatos Nanon do të mbetet i gjallë dhe se figura e tij zë një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Shqipërisë. Familja e Thaçit i ka përcjellë ngushëllimet e saj të sinqerta familjarëve të Nanos, institucioneve shtetërore dhe miqve të ish-kryeministrit.

Në reagimin e tyre, ata kanë nënvizuar se Fatos Nano përfaqësonte brezin e politikanëve që udhëhoqën me sukses transformimin e Shqipërisë nga sistemi monist në një shoqëri demokratike dhe pluraliste. Ai u vlerësua për vizionin reformator, tolerancën dhe kulturën e tij politike moderne, që u kthyen në shembull për brezat e rinj.

Familja Thaçi ka kujtuar gjithashtu mbështetjen që Nano i dha çështjes së Kosovës gjatë periudhës së vështirë të paraluftës dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke e konsideruar atë si një kontribut të rëndësishëm në historinë dhe unitetin e kombit shqiptar.

POSTIMI:

Telegram ngushëllimi i Familjes Thaçi për Familjen Nano

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi