Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.
“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.
Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës:
“Sot, në përputhje me Kushtetutën, kam mandatuar zotin Glauk Konjufca për kryeministër, ashtu siç qartë e përcakton Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese,” tha Osmani.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota.
“Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht,” tha Kurti.


















