Nga Jonida Xhyra-Entorf
Historinë e jetës së gjyshes lexuesi i Lea Ypit e njeh ndërkohë në mënyrë të përmbledhur nga romani Të lirë. Mbesë pashai, pinjolle e dytë e një familjeje zyrtarësh të lartë të Perandorisë Osmane, Leman Leskoviku kishte lindur në vitin 1918 në Selanik. Është vajza e vetme në liceun francez, të cilin e përfundon me medalje ari. Për herë të parë në Shqipëri vjen në moshën 19 vjeçare. Punësohet si gruaja e parë në administratën shtetërore, martohet me Asllan Ypin, një jurist të diplomuar në Paris, pinjoll i një familjeje me emër, babai i të cilit kishte mbajtur poste të rëndësishme në shtetin e ri shqiptar dhe kishte qenë ministër drejtësie gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Jeta e saj merr një kthesë të paimagjinueshme pas ardhjes në pushtet të komunistëve: Asllani dënohet për agjitacion e propagandë fillimisht me burgim të përjetshëm, një vit më pas i vdes e ëma nga kanceri dhe Lemanin bashkë me djalin e vogël e internojnë në kooperativën e një fshati të humbur të Kavajës, ku si e deklasuar jeton me ankthin e burgosjes.[1] Nini është një figurë reale dhe letrare, e cila në kompleksitetin e saj përfshin një shekull të tërë përmbysjesh politike e shoqërore. Në romanin Të poshtëruar historia e saj shpaloset gjerësisht përmes ndërthurjes së kujtimeve, trillimit letrar, refleksioneve filozofike dhe situatave të ndërlikuara historike, duke u zhvendosur mjeshtërisht nga përvoja individuale drejt një horizonti universalisht njerëzor.
Në romanin Të lirë Nini i tregon Leas 12 vjeçare “një copë kartoni nga periudha kur vendi ynë ishte akoma mbretëri, me një foto të sajën bardhë e zi të kapur me spila dhe me disa rreshta me informacione: gjatësia, flokët, ngjyra e syve, vendlindja, datëlindja, shenjat e veçanta”, duke i shpjeguar se kjo copë kartoni e quajtur pasaportë, kishte fuqinë për të vendosur, nëse rrugët ishin të mbyllura apo të hapura.[2] Mungesa e kësaj cope kartoni e kishte penguar Ninin pas luftës të merrte pjesë në varrimin e të atit.[3] Sipas kësaj cope kartoni aso kohe ajo kishte nënshtetësi shqiptare, nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të kapërcente “asnjë portë”, siç e thoshte dhe vete fjala në frëngjisht: passeport. Ndonëse kur kishte qenë gjashtë vjeç, Nini kishte kapërcyer madje edhe ylberin[4] dhe ishte kthyer nga djalë në vajzë.
Me një grusht të dhënash të verifikueshme pasaporta shërben për të kontrolluar nëse personi që identifikohet përmes saj është i vërtetë. Por çdo person është i vërtetë. Përmes të dhënave të verifikueshme pasaporta është dëshmi e një identiteti të ngurtë juridik të përcaktuar nga shteti dhe të reduktuar në hapësirë dhe përkatësi.[5] Përmes kësaj ngurtësie të dhënash ajo na kufizon hapësirën prej nga vijmë, por gjithashtu edhe hapësirat ku kemi të drejtë të shkojmë, “portat” që mund të kapërcejmë.[6] Nini dhe familja e saj bëjnë pjesë në elitën e Perandorisë Osmane, brenda kozmopolitizmit të së cilës ata nuk kanë kufij për të kapërcyer “porta”. Ata flasin frëngjisht, janë shqiptarë që flasin edhe shqip në shtëpi, myslimanë që festojnë Bajramin, jetojnë në Selanikun multietnik (i cili u bë pjesë e Mbretërisë Greke gjashtë vjet para lindjes së Ninit, në vitin 1912) dhe udhëtojnë me dokumente greke.[7] Ndërsa në liceun francez në Selanik atë të gjithë e thërrisnin shqiptarja[8], në dosjet e Sigurimit në Shqipëri ajo ishte grekja.[9]
Nini përjeton rrokullimën përfundimtare të Perandorisë Osmane, nacionalizmin, fashizmin, nazizmin, komunizmin dhe ardhjen e demokracise. Identiteti i saj nuk është hapësirë, dhe aq më pak një hapësirë statike e kushtëzuar nga një grusht të dhënash të verifikueshme. Ai lëvrin dhe humbet shpesh në kohë dhe “çdo kostum” i qepur vetëm sipas përkatësisë familjare, klasore, etnike, fetare apo kombëtare “shqepet” dhe është i papërshtatshëm për të rrokur tërësisht figurën e saj. Në kuptimin poststrukturalist koncepti i identitetit në romanin Të poshtëruar është “një shenjues bosh” [10], të cilin autorja e mbush me një rrëfim mjeshtëror përmes fakteve, grimcave të fakteve të qëmtuara nëpër arkiva, trillimit, kujtimeve, refleksioneve dhe përsiatjeve filozofike. Kuadri historik i këtij rrëfimi përfshin jo vetëm kronologjinë historike dhe dy hartat në krye të romanit, por edhe raporte survejimi, vendime gjykatash, pjesë nga dosje hetimore, dëshmi të të akuzuarve, artikuj gazetash, pjesë nga protokolli i Asamblesë Kushtetuese Shqiptare, pjesë nga raporti i Komisionit Ushtarak Britanik e të tjera elemente si këto, që i japin romanit një natyrë hibride, por me një strukturë dinamike shumëplanëshe në rrjedhën e kohës. Perspektiva auktoriale të sjell ndërmend qysh në fillim klasikët rusë: “Stomaku jo … vetëm stomaku jo … nuk ka mundësi të jetë stomaku”, psherëtiu e dëshpëruar katragjyshja ime Mediha Hanëmi, një mbrëmje të gushtit 1918, duke fshirë rrëketë e lotëve që i rridhnin faqeve. “Doktor Elias, ju lutem, mbylljani sytë, je vous en prie!”[11] Le të sjellim ndërmend fare shkurt fillimin e romanit historik Lufta dhe paqja: „Eh bien, mon prince, Gênes et Lucques ne sont plus que des apanages, prona de la famille Buonaparte.” (…) Kështu shprehej në korrik të vitit 1805 Ana Pavllovna Sherera, zonjushe nderi dhe një nga personat më të afërme të perandoreshës Maria Fedorovna, duke i dalë përpara një personaliteti hijerëndë e plot tituj, princ Vasilit, që kish ardhur i pari në suarenë e saj.[12]
Duke marrë shkas nga një fotografi e gjyshërve të saj në sfondin e një hoteli luksoz gjatë muajit të mjaltit në vitin 1941, postuar dhe komentuar në rrjetet sociale, mbesa fillon të rrëmojë nëpër arkiva për të rindërtuar jetën e gjyshes së saj. Por “arkivat ofrojnë boshllëqe të panumërta, mistere të pazgjidhshme.”[13] Dhe përpos kësaj, çfarë gjurmësh ka lënë apo ka fshirë në këto boshllëqe dhe mistere ushtria e informatorëve me ushtarë sendesh, epitetesh, gjallesash si Kafka e Kuqe, Dara, Garanzhi, Naganti, Dega e Shelgut, Rrufeja, Era e Marsit, Çamçakëzi i Bardhë, Kënetat e Shëngjinit, Pelivani, Tribuni? Në një lojë në kompjuter të vitit 2013 (Paper please!) mund të luash një roje kufitare në një shtet imagjinar (Arstotzka) dhe duhet të respektosh rregulla që ndryshojnë çdo ditë për të kontrolluar kush ka të drejtë ta kalojë kufirin ose jo. Nëse bën gabime, atëherë merr vërejtje, dënohesh, merr më pak para dhe pasoja e të gjitha këtyre është vuajtja e pjesëtarëve të familjes. Në këtë kuptim, të rrokësh përmasat e gjurmëve të ushtrisë së Tribunit e Pelivanit me shokë në hierarkinë e tyre është si të kërkosh gjilpërën në kashtë.
Atëherë për të parë përtej fotografisë “il faut fermer les yeux”.[14] Sepse janë pikërisht aftësia për të përfytyruar, për të imagjinuar, letërsia, ato që ofrojnë një perspektivë për të rindërtuar kontekstin, për të mbushur heshtjen e arkivit, që “gjëmon më fort se çdo zë i kyçur në brendësinë e tij”[15] dhe për të rrokur kësisoj zhvillimin historik të kohës dhe kompleksitetin e natyrës njerëzore brenda tij. Ngjarjet historike shpështillen rreth trungut të shekullit të kaluar me luftërat botërore dhe ballkanike, kohën e mbretit Zog, pushtimin fashist, nazist, luftërat për pushtet të grupimeve të ndryshme në Shqipëri, ardhjen e komunistëve në pushtet, rënien e socializmit, ardhjen e demokracisë dhe zanafilla, siç thotë punonjësja e arkivit[16], është pikërisht tek shpërbërja e Perandorisë Osmane.
Jehonën e kësaj shpërbërjeje apo “shkokolepsjeje” të popujve Nini e përjeton nga veranda e vilës së familjes së saj në Selanik përmes tablosë së përshkruar nga e emta, Selma: “Gra që vajtojnë e çjerrin flokët, fëmijë që humbin prindërit ende pa hipur në anije. Nuk lejohet të marrin asgjë me vete e po mundohen të shesin ç’të mundin. Mund të blesh një shtëpi me çmimin e një bilete trageti.”[17] Shkëmbimi i detyrueshëm i popullsisë midis Turqisë dhe Greqisë kishte filluar që para traktateve të Sevrës (Sèvres 1920) dhe Lozanës (Lausanne 1923), veçanërisht si pasojë e Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Miliona njerëz në territoret e dikurshme të Perandorisë mbetën pa shtetësi të qartë; kufijtë e rinj dhe shtetet e reja kombëtare i lanë shumë banorë juridikisht “të padukshëm”. Gjatë shkëmbimit të popullsisë greko-turke Mesdheu u bë varr i hapur për shkak të anijeve të mbingarkuara, urisë, sëmundjeve, kushteve të pasigurta dhe mungesës së organizimit e kontrollit. Parashikimi prej Kasandre i Selmës, “se tani sa herë që të bëhet luftë, do t’u duket normale të shkëmbejnë njerëzit si të ishin mallra, t’i detyrojnë të hidhen ca andej e ca këtej kufirit në emër të kësaj zgjidhjes metodike”[18], është kaq aktual, sa nuk mund t’i shtosh a t’i heqësh asnjë presje. Sepse në fund të fundit përsëritja e historisë, e kaluara merr kuptim vetëm si kundërvënie me të tashmen.
Dhe në jehonën e kësaj katrahure mjeku i familjes i bën familjes së Ninit në verandën e vilës pyetjen e thjeshtë të identitetit: Çfarë jeni ju? Të njëjtën pyetje Nini gjashtëvjeçare ia bën vetes: “Çfarë je ti? (…) Je Leman Leskoviku apo Ibrahim Beu, je vajzë apo djalë, je greke, turke apo shqiptare? Mirë gjithë këto, po gjuha frënge ç’të duhet?”[19] Shpërbërja apo “shkokolepsja” e popujve bart mbi vete idenë se paqja mund të arrihet përmes homogjenitetit dhe jo bashkëjetesës, “përmes shpërbërjes së materialit, paçka se nuk ia di përbërjen”[20], jo përmes larmisë. “Gracka e identitetit”[21] endet si hije në Selanikun e fëmijërisë së Ninit, ku vetëm dy vjet pas aneksimit nga Greqia mbishkrimet otomane ishin mbuluar me emra të krishterë dhe ndarja, përjashtimi politik kishte filluar me të gjallët për të vazhduar madje edhe me të vdekurit. Ndërsa për vetë autoren, Salonique la Magnifique që i ka mbetur asaj në kujtesë nga rrëfimet e Ninit nuk është hapësirë, por kohë, “kohë e humbur përpara se ajo të hynte në tretësirën e saj”[22] dhe për më tepër një përzierje tingujsh nga frëngjishtja, osmanishtja, shqipja, ladinoja, italishtja, greqishtja. “Një kohë e humbur” e krahasueshme me vendlindjen e nobelistit me origjinë hebreje Elias Kaneti (Canetti) në Bullgari, pikërisht në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, një kozmos gjuhësh dhe etnish, larmia e të cilit e përshkon fund e krye veprën e tij dhe i jep atë kolorit aq origjinal.[23]
Nini vjen në Shqipëri në vitin 1936 dhe kontaktin e parë me shtetin foshnjor shqiptar e ka me Sulejmanin e Madhërishëm, një përfaqësues të denjë të tij, i cili regjistron sipas tarifash fleksible në të njëjtën kohë qentë endacakë ose më saktë veshët e tyre të prerë, dhe njerëzit. Tirana e kohës, “një katund me krekosje perandorake”, e përvijon identitetin e saj përmes harmonisë së të kundërtave, e cila na ndërmjetësohet në dialogë dhe meditime, ndërkohë që në sfond ravijëzohet pamja e bulevardit në ndërtim e sipër dhe e “zoogjindjes” që e mbush atë. Shteti më i ri i Ballkanit formësohet nën jehonën e reformave të nisura dhe të mbetura përgjysmë, me ndryshime kabinetesh, asamble kushtetuese, bejlerë, të huaj me statusin e perëndive dhe shqiptarë të kthyer në atdhe me statusin e gjysmë-perëndive, ministra, një mbret të kthyer në refugjat lufte, ushtarakë të forcave britanike etj. Për disa javë Nini madje bëhet pjesë e këtij shteti duke punuar në ekipin e qeverisë liberale të Mehdi Bej Frashërit, si gruaja e parë në administratën shtetërore.
E gjithë kjo tablo pas vitit 1945 zhduket sikur e përpin dheu. Në izolimin që pason, lufta e klasave merr dimensione absurde në ekstremitetin e saj dhe Nini gjendet në kufijtë e skajshëm ekzistencialë duke punuar në kooperativën e një fshati të humbur në Kavajë pasi i kanë marrë gjithçka, me një burrë të dënuar si armik të popullit, me një djalë të vogël që sëmuret vazhdimisht, një nënë të sëmurë për vdekje dhe frikën e vazhdueshme të arrestimit. Ndërsa lexuesi rrok atë të padukshmen me sy, dinjitetin, aftësinë e vullnetit për të ndjekur imperativët moralë edhe në epokën e ekstremeve. Sot ne po përjetojmë ekstreme gjithfarësh: ekstreme politike, ku kufijtë midis lirisë dhe kontrollit bëhen gjithnjë e më të turbullt; ekstreme klimatike, ku katastrofat natyrore të shkaktuara nga dora e njeriut shkatërrojnë mundësitë e ekzistencës; ekstreme ekonomike, ku pabarazia arrin përmasa marramendëse; ekstreme informacioni, ku rrjetet ndajnë më shumë se sa bashkojnë. Përmes figurës së Ninit autorja kujton të kaluarën për t’iu qasur të tashmes duke vënë në pikëpyetje kësisoj ekstremet aktuale.
Nini është instanca e saj morale, por kategoritë filozofike ashtu si dhe në romanin e parë bëhen njësh me një letërsi të shkruar mjeshtërisht. Fundi i romanit na bën me dije se ushtria e Tribunit, Pelivanit dhe Çamçakëzit të Bardhë kanë survejuar një Leman Ypi tjetër, që e ka pasur jetën të ngjashme me atë të Ninit. Cila është kjo grua, të cilën duke qenë se nuk ka lënë asnjë pasardhës autorja e adopton si gjyshe? Identiteti i saj ravijëzohet pikërisht në triumfin e imagjinatës përtej boshllëqeve dhe mistereve të arkivave, se “familja, klasa shoqërore, raca, feja, kombi mund edhe ta kushtëzojnë njeriun, por nuk do të arrijnë ta përkufizojnë ndonjëherë.”[24]
Në fillim të romanit, rrugës për tek Autoriteti i Dosjeve, pas shkëmbimit të fjalëve të para shoferi i taksisë i bën autores pyetjen nëse është “e ardhur”, ndonëse është i sigurt për këtë gjë. Hendeku midis të qenit “e ardhur” dhe “vendalie” ashtu si për autoren edhe për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë jashtë zgjerohet dhe ngushtohet sipas rastit kur jemi në atdhe. Kjo dilemë i shtohet asaj me të cilën ne jetojmë edhe jashtë atdheut. Në vitin 2016 Nina Jargekov (Yargekov) boton një roman shumë interesant me titull Double nationalité.[25] Heroina kryesore e romanit Emilia zgjohet një mëngjes në aeroport pa kujtesë dhe me dy pasaporta në dorë, franceze dhe jaxiginiane (Yazigina, një aludim për Hungarinë). Përmes dokumenteve, copëzave të kujtimeve, intervistave, dokumenteve zyrtare, ajo rindërton të kaluarën e saj duke krijuar një portret mozaik të një njeriu që jeton midis dy botëve. Në fund të romanit Emilia gjendet sërish në atë aeroport ku kishte filluar gjithçka me dy pasaportat në dorë, duke kuptuar se zërat, kujtimet, gjuhët, kulturat brenda saj nuk ka pse të përjashtojnë njëra-tjetrën. Në ndryshueshmërinë e tyre të gjitha këto elemente janë burim, jo pronë[26] dhe parë kështu Nini përcjell rezistencë karshi çdo identiteti të imponuar.
Romani lexohet me një frymë dhe përtej refleksioneve dhe përsiatjeve filozofike Nini është një personazh magjepsës dhe shumë i dashur, një figurë femërore shumëdimensionale dhe autentike në letrat shqipe, e cila merr frymë lirisht dhe pa u ngurtësuar aspak në lojën e ndërgjegjshme të autores mes trillimit, fakteve, kujtimeve dhe përsiatjeve filozofike. Po të shpreheshim me gjuhën e Shilerit (Schiller), të cilin autorja e citon në krye të romanit, Nini është një shpirt i bukur.[27] Për të vazhduar në këtë hulli, duke iu referuar Gëtes (Goethe), është afërmendsh që në rrjedhën e rrëfimit lexuesi të ndjejë tërheqjen drejt saj, afërsinë shpirtërore me të (Wahlverwandtschaften)[28]. Dhe nëse personazhet letrarë ia dalin mbanë të ushtrojnë këtë tërheqje, letërsia brenda së cilës lëvizin ata është një letërsi e madhe, e përmbushur, autentike.
(c) 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[1] Ypi, Lea (2021) Të lirë. Të rritesh në fund të historisë. Botimet Dudaj. Tiranë, f. 136.
[2] Po aty, f. 165.
[3] Po aty, f. 163.
[4] Ypi Lea (2025) Të poshtëruar. Të mbijetosh në epokën e ekstremeve. Botimet Dudaj. Tiranë, f. 42.
[5] Për shtetin socialist shqiptar ky reduktim ishte një e drejtë absolute, e cila në mënyrë interesante vihet re dhe në shpjegimin semantik të pasaportës. Në Fjalorin e 1954-ës pashaporta është një “dokument zyrtar i pajisur me fotografi dhe me shënimet personale t’atij që e mban, i cili i lëshohet një njeriu që do t’udhëtojë jashtë shtetit” (f. 382). Kurse në Fjalorin e 1980-ës kufizimi i hapësirës përbën thelbin e shpjegimit dhe pasaporta cilësohet vetëm si një “letërnjoftim i posaçëm, me të cilin pajiset ai që shkon me shërbim ose udhëton jashtë shtetit për një kohë të caktuar” (f. 1375).
[6] Në vitin 2019 për shembull me pasaportë japoneze mund të hyje pa vizë ose me vizë në mbërritje në 190 shtete, kurse me atë afgane në 25 (Henley Passport Index).
[7] Në kujtimet e tij Die Welt von gestern, Erinnerungen eines Europäers (Bota e së djeshmes, kujtimet e një europiani) Stefan Zweig shkruan nga perspektiva e një intelektuali që bënte pjesë në elitën e Perandorisë Austro-Hungareze se përpara vitit 1914 toka u përkiste të gjithë njerëzve. Për njerëz si ai Europa ishte vërtet pa kufij, sepse brenda saj elita së cilës i përkiste ai nuk kishte nevojë për dokumente udhëtimi (https://www.projekt-gutenberg.org/zweig/weltgest/index.html?utm_source=chatgpt.com vjelja e fundit: 05.11.2025, 12:14).
[8] Ypi Lea (2025), f. 125.
[9] Po aty, f. 24.
[10] Laclau, Ernesto (1996) Emancipation(s). Verso. London /New York. Konkretisht kapitulli “Why do empty signifiers matter to politics?”, f. 36-46.
[11] Ypi, Lea (2025), f. 28.
[12] Tolstoi, L. N. (1973) Lufta dhe paqja I. E përktheu Sotir Caci. Rilindja, Prishtinë, f. 12 (apanage: çiflig).
[13] Ypi, Lea (2025), f. 311.
[14] Pour voir, il faut fermer les yeux / Për të parë, duhen mbyllur sytë (shprehje e piktorit francez Paul Gauguin: 1848–1903).
[15] Ypi, Lea (2025), f. 311.
[16] Po aty, f. 27.
[17] Po aty, f. 49.
[18] Po aty, f. 54.
[19] Po aty, f. 55.
[20] Po aty, f. 52.
[21] Sen, Amartya (2007) Die Identitätsfalle. Warum es keinen Krieg der Kulturen gibt. Beck, München, f. 35.
[22] Ypi, Lea (2025), f. 137.
[23] Canetti, Elias (2004) Gjuha e shpëtuar, histori e një rinie. Shqipëroi Aristidh Ristani. Elena Gjika, Tiranë.
[24] Ypi, Lea (2025), f. 404.
[25] Yargekov, Nina (2016) Double nationalité. Éditions P.O.L.
[26] Jullien, François (2016) Il n’y a pas d’identité culturelle. Éditions de l’Herne, Paris, f. 51-67.
[27] Schiller, Friedrich (2016) Über Anmut und Würde / Kallias oder über die Schönheit. Herausgegeben von Karl-Maria Guth. Berlin.
[28] Goethe, Johann Wolfgang (1980) Wahlverwandtschaften. Ein Roman. Beck, München. Në këtë roman Goethe përshtat në marrëdhëniet ndërnjerëzore, veçanërisht në dashuri, një nocion nga kimia e shekullit të 18-të (elective affinities), sipas të cilit disa substanca priren të tërhiqen dhe të bashkohen në mënyrë të natyrshme, ndërsa të tjera shkëputen nga njëra-tjetra. Pikërisht në këtë kohë (Sturm und Drang) dëshmohet dhe termi afërsi shpirtërore (Seelenverwandtschaft) në Deutsches Wörterbuch të vëllezërve Grimm./Peizazhe te fjales




















