Mesfushori i kombëtares shqiptare Ylber Ramadani vijon paraqitjet e tij fantastike në Seria A me ekipin e Lecces.

Gazeta prestigjoze italiane “Gazzeta dello sport” i ka dedikuar një artikull 29-vjeçarit shqiptar i cili në bazë të statistikave është lojtari me më shumë kilometra të përshkuara në kampionatin italian të futbollit deri më tani këtë sezon.

Sipas statistikave zyrtare të Serie A, Ramadani ka përshkuar në total këtë sezon 115.9 kilometra në fushë, duke u renditur i pari në listën e futbollistëve që kanë vrapuar më shumë gjatë këtij edicioni.

“Shqiptari, është rikthyer në kulmin e tij me ardhjen e Eusebio Di Francescos në stol. Kilometrazhi i tij pas çdo ndeshjeje nuk është më i habitshëm teksa në 10 ndeshjet e para ka vrapuar 115.9 km”, shkruan Gazzeta dello Sport.

Artikulli vijon më tej teksa përmend se: Ramadani është i njohur për qëndrueshmërinë dhe statistikat e tij të gjithanshme. Ai krenohet me një numër të frikshëm topash të rikuperuar: 64, shifra më e mirë në skuadër. YlberRamadani është i krahasueshëm me një përbindësh të shenjtë të futbollit evropian si Luka Modric i AC Milan.

Këto shifra janë tregues për rolin qendror të Ramadanit në ekipin e Di Francescos, i cili shihet nga kundërshtarët si lojtari kyç i Lecces.”

29-vjeçari shqiptar është kthyer në një nga shtyllat kryesore të mesfushës së Lecces dhe një element kyç për ekipin, ku ka qenë titullar në të gjitha 10 ndeshjet e kampionatit deri tani, duke grumbulluar 874 minuta lojë.