Ministri i Financave, Petrit Malaj tha në Kuvend nga Paqja Fiskale nuk iu jep imunitet atyre që janë në hetim apo në procese gjyqësore. Ai tha se me këtë paqe fiskale, synojnë që të zbatojnë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshm, dhe me standartet për menaxhim më të mirë.
“Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti. Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore. Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor. Gjithashtu me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.
Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare. Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj, ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore.”, tha Malaj.
Më tutje, ai tha se nga viti 2026 do të nisë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat që nëpërmjet DIVA-s, t’ju vijnë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18-vjeç.
“Duke filluar nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç. Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto) ulet ndjeshëm. Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 Mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.”, u shpreh ministri.




















