Në episodin e radhës të podcastit, kryeministri Edi Rama foli për mbledhjen e parë qeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë duke vënë në fokus 16 marrëveshjet e ratifikuara ku përfshihen investime në sektorë të ndryshëm jetikë.

“Këtë javë kemi pasur dhe mbledhjen parë mes dy qeverisë Shqipëri-Itali në historinë tonë, një ditë e veçantë në të gjithë hisotirnë e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë. Shqipëria në një stad si kurrë më parë përsa i përket dinjitetit dhe respektit ndërkombëtar.

Mbledhja e përbashkët, një format i mirë njohur për ne nga mbledhjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. U materializuan 16 marrëveshje që janë të lidhura me një volum të konsiderueshëm, financimesh dhe punësh të përbashkëta”, tha Rama.

Rama foli dhe për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE.

Rama tha se ky moment është historik pasi në një kohë rekord janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave.

Ai është shprehur se janë kapërcyer të gjitha pengesat që kishin të bënin me çeljen e kapitujve dhe tani duhet të kapërcehen të gjitha pengesat për mbylljen e grupkapitujve.

“Një moment i shumëpritur dhe historik në kuptimin që me këtë grupkapitull hapen të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord prej 12 mujash. Asgjë nuk na ndal dhe kemi kapërcyer të gjitha pengesaq që kishin të bënin me çeljen e të gjithë kapitujve, tani duhet të kapërcejmë pengesat për mbylljen e grupkapitujve”, tha Rama.