Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të publikojë një libër që sipas tij ka lidhje me fjalët e sofrës së iftarit.
Në podkastin e tij ‘Flasim’, kreu i qeverisë foli për gjuhën shqipe, duke theksuar se i pëlqen të shkruajë.
Ai shprehet se tani nuk ka më kohë të ulet dhe të shkruajë, siç ka bërë me librin “Kurban”, por thekson se kur është në udhëtime shkruan copëza nga puna apo fjalime.
“Jam dashnor i përkushtuar i gjuhës shqipe, e ndjej dhe më pëlqen të shkruaj. Madje në rastet e rralla kur më është dhënë mundësia të takohem me Ismailin pjesa që më tërhiqte me shumë ishte kur arrija që të fusja në bisedë për gjuhën.
Se natyrisht ai e zotëronte shqipen në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo që më pëlqente shumë është kur ai bënte krahasimin me rusishten.
Unë nuk kam mundësi të rri të ulem të shkruaj sic kam shkruar “Kurbanin”. Më pëlqen shumë që të shkruaj copëza, që lidhen me punën, fjalimet.
Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që ti shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë.”, tha Rama.




















