Deputeti i PS-së, Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit deklaroi se duhet të marrin fund gënjeshtrat dhe thashethemet në Kuvend, sa i takon shifrave që raporton KLSH.

Duke iu referuar akuzave të Sali Berishës se në 9 muaj janë vjedhur 900 mln lekë, Braçe tha se kjo nuk është e vërtetë.

“KLSH është auditi i jashtëm suprem, por që operon mbi bazë faktike. Nuk operon mbi bazë thashethemesh. Në raportin e KLSH nuk ka shifër të tillë që janë zbuluar 900 mln euro në 9 muaj. Këtu e kemi pasur raportin. Kjo histori që e thoni këtu dhe më pas e xhirojnë portalet duhet të marrë fund.

Të thuash se në një vit u vodhën 900 mln euro, kjo të bën të mendosh për lajthitje ose gënjeshtar patologjik. Këtu e kemi kryetarin e KLSH. Në cilin rast nuk janë marrë në evidencë rastet nga SPAK? Cilën dosje ka refuzuar SPAK të hetojë?”, tha ai.