Internacionalja Socialiste ka shprehur ngushëllimet për Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe kryetarin e saj, Edi Rama, pas ndarjes nga jeta të ish-kreut të PS-së dhe ish-kryeministrit të vendit, Fatos Nano.
Në një reagim në rrjetin social X këtë shtunë, organizata ndërkombëtare vlerëson kontributin e Nanos gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, duke kujtuar se nën drejtimin e tij Partia Socialiste u bë anëtare e Internacionales Socialiste.
“Fatos Nano luajti një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së tranzicionit të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, Partia Socialiste e Shqipërisë u anëtarësua në Internacionalen Socialiste. Gjatë gjithë jetës, ai u angazhua me guxim në mbrojtje të vlerave demokratike dhe, në vitet 1994–1997, u burgos për bindjet e tij politike. Ai e udhëhoqi vendin në një periudhë të vështirë, duke u përpjekur të ndërtonte një shtet kushtetues e demokratik, si dhe dha një kontribut të rëndësishëm në reformat dhe modernizimin e Partisë Socialiste. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen dhe të afërmit e tij.”- thuhet në reagim.




















