Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të enjte pas polemikave të fundit lidhur me deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët. Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara,” – shkroi Rama.
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratave të Komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila u shpreh kundër sulmeve ndaj ambasadorit Gonzato dhe theksoi rëndësinë e respektimit të vlerave të BE-së.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të Bashkimit Evropian. Përafrimi me to është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të @EUinAlbania. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm,” – deklaroi Kos.




















