Data 7 nëntor ishte e rëndësishme për Juventusin. Në stadiumin ‘Allianz’, pas shtatë orësh diskutime, takimi i aksionerëve të Juventusit përfundoi me 99.98% të votave pro, u miratuan pasqyrat financiare për vitin që përfundoi më 30 qershor 2025, duke u mbyllur sezonin me një humbje prej 58 milionë eurosh (brenda Fair-Play Financiar të UEFA-s), ndjeshëm më e ulët nga humbjet e një sezoni më parë (199.2 mln euro).

U miratuan edhe pika të tjera në axhendë, bordi i drejtorëve u rinovua me shtimin e Damien Comolli (i cili do të emërohet Drejtor i Përgjithshëm në takimin e ri të bordit në ditët në vijim) dhe drejtorëve iu dha autoriteti për të nisur një rritje kapitali deri në 110 milionë euro, e cila do të përfundojë në fillim të vitit 2026.

Ishte takimi i parë që kur gjigandi i kriptomonedhave Tether bleu një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në klub (11.5%, e barabartë me 7% të të drejtave të votës). Dhe, njëkohësisht me takimin, John Elkann, CEO i kompanisë mëmë Exor, bëri një deklaratë të qartë për Reuters. Shkurt, familja Agnelli nuk ka ndërmend të shesë aksionet e saj, por mbetet e hapur për bashkëpunime me investitorë të tjerë.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj Juventusit dhe jemi krenarë që kemi qenë aksionari kontrollues i saj për më shumë se një shekull”, tha Elkann, duke shtuar: “Ne jemi dhe gjithmonë kemi qenë të hapur ndaj ideve konstruktive nga të gjithë palët e interesuara që ndajnë ambicien dhe pasionin tonë për klubin”.

Pas shkarkimit të Tudor, Spalletti është emëruar si kreu i ri i ekipit. “Ne mbështesim bordin e ri të drejtorëve dhe ekipin e menaxhimit, pasi përparësia jonë mbetet të kombinojmë rezultatet e forta sportive me disiplinën financiare”, përfundoi Elkann.

‘Ngërçi’ me Tether

Kompania me seli në El Salvador kërkoi dy vende në bord, në vend të një të vetëm të parashikuar nga rregullorja për listën e pakicës. Kjo kërkesë, së bashku me kërkesën për të çuar përpara diskutimin e rritjes së kapitalit dhe për të përfshirë të drejtat e përparësisë, u refuzua. Kur u vunë në votim, propozimet e ndryshme të Tether morën një maksimum prej 8% të votave pro, duke pasur parasysh se të drejtat e votës së kompanisë së kriptomonedhave janë ekuivalente me 7%, Tether mori mbështetje nga afërsisht 1% e aksionarëve të tjerë të pakicës.

Bordi i ri i drejtorëve dhe Comolli

Mbledhja më pas vazhdoi me votimin për rinovimin e bordit të drejtorëve. Lista e paraqitur nga Exor mori 92% të votave pro. U zgjodhën, Gianluca Ferrero (president), Antonio Belloni, Guido de Boer, Damien Comolli, Laura Cappiello, Fioranna Vittoria Negri, Kerstin Andrea Lutz dhe Diva Moriani. Lista e paraqitur nga Tether mori 8% të votave, Francesco Garino i bashkohet bordit të Juventusit. Siç është njoftuar më parë, ish-drejtori ekzekutiv Maurizio Scanavino po largohet nga bordi. Kohëzgjatja e gjatë e mbledhjes nuk lejoi që bordi i ri të mblidhej dje. Prandaj, Drejtori i Përgjithshëm Damien Comolli nuk u emërua zyrtarisht dje, por në mbledhjen e bordit që do të thirret në ditët në vijim.

Të ardhurat

Xhiroja e klubit të Juventusit arriti në 529.6 milionë euro, 34% më shumë se 394.5 milionë të vitit të kaluar. Të ardhurat u nxitën nga të drejtat televizive, të cilat u rritën në 177.4 milionë euro falë pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve (67.5 milionë euro), Kampionatin Botëror të Klubeve (27 milionë euro) dhe Serie A (81.2 milionë euro).

Të ardhurat nga stadiumi u rritën gjithashtu, nga 57.7 mln euro në 65.4 milionë euro, ndërsa të ardhurat komerciale ranë në 115.9 milionë euro, për shkak të rinovimit të vonë të marrëveshjeve të sponsorizimit me Jeep dhe Visit Detroit.

Kontributi i fitimeve kapitale nga tregu i futbollit ishte i konsiderueshëm, duke arritur në 89.7 milionë euro nga një total prej 109.7 milionë euro të ardhurash nga menaxhimi i lojtarëve. Ndër transaksionet kryesore, bien në sy shitjet e Soulé (22.3 milionë euro), Hujsen (13.7 mln euro), Fagioli (13.2 mln euro), Iling-Junior (12.3 mln euro) dhe Rovella (9.3 mln euro). Përveç kësaj, kishte 6.9 milionë euro nga bonuset dhe tarifat e shitjes dhe 7.1 milionë euro nga kompensimi i sigurimeve për lëndime.