Nga Ylli Manjani

Hajdutët të kthejnë paret.

Sali Berisha ka thënë dje, ndër të tjera se :

“Neni 103 Kushtetutës, paragrafi i tretë thotë se anëtarët e Këshillit te Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetëve dhe kjo është interpretuar nga disa lakej te qeverisë dhe nga vete Edi Rama dhe Lubi Balluku si imunitet për pezullimin. Është absolutisht pa bazë dhe e gënjeshtërt.”

****

Zotnia nuk ka faj hiç me thënë të drejtën, se kur mbroja në publik principet bazike që nuk lihej opozita pa vulë; se nuk i diktohet emri i kryetarit një partie politike; se nuk mund të jenë nongratllëqet pengesa kominikimi politik; se nuk mund ti hiqet imuniteti opozitës; apo se çështjet penale në ngarkim të Tij janë të stisura, nuk isha lake. As gënjeshtar.

Tani, i motivuar njësoj si më parë, nga motive thjesht profesionale dhe gjithnjë parimore, kam argumentuar në publik me bindje të plotë se drejtësia ka kaluar limitet e atij neni të Kushtetutës, i pandehuri Sali të quan “lake i qeverisë” dhe “gënjeshtar”.

Bahh, çfarë keqardhje për veten!

Kam harxhuar frymë e kohë, ndonëse për princip, por për favor të këtij njeriu, të cilit nuk i kërkoj mirnjohje, por edukatë në komunikim.

Por nuk jam pishman, sepse mbrojtja e parimeve dhe standarteve në publik është detyrë civile, jo ndaj Saliut, as salinjve, as lakejve e gënjeshtarëve të tij, që u ka rënë qepeni dhe hyjnë në SHQUP me facebook.

I mbroj ende ato principe dhe do ti mbroj se opozita i duhet shoqërisë, jo xhepit privat të opozitarëve…

Që Sali Berisha endet kuturu midis SKAP-it dhe SPAK-ut, sipas hallit të çastit, nuk na bën neve të nenit 103 lake, por atë vetë.

Tani sa për informacion, ky neni 103 është miratuar në Kushtetutën e vitit 1998. Sali Berisha e të tijtë nuk morën pjesë në hartimin e miratimin e saj, ndaj skanë se si të dinë e kuptojnë mbi arsyet e ekzistencës së atij neni.

Asokohe ishin të zënë duke bërë parada të dhunshme me molotov e arkivolë te kryeministria, pasi futën në dhé nja 5 mijë shqiptarë një vit më parë.

E sjell në vemendje këtë fakt për të kuptuar se ai neni kushtetutës ka dalë pikërisht nga ky sfond i dhunshëm politik.

Ndaj nëse ka lake e gënjeshtar në leximin e interpretimin e nenit 103 ai është Berisha. Ai flet me kompetencë për një nen që ka rrefuzuar ta lexojë e ta miratojë.

Pavarësisht kësaj, ka një dallim esencial ndërmjet argumentimit tim dhe të tjerëve mbi nenin 103, me atë që bëri Berisha dje.

Ne argumentojmë këtë gjë nisur nga principi se gjykatat janë garanci e ndarjes dhe balancës së pushteteve dhe jo gjykatore të morali. Me pak fjalë ajo që na ndan në thelb është se Berisha dhe lakejtë e tij i duan gjykatat si gardën e Iranit dhe, shoqërinë e konsiderojnë si turmë talebanësh që gjuajnë viktimën me gurë në mixhlis, veçanërisht gratë.

Dallim të madh shumë kemi.

Sa për leksionet me “mbrojtje hajdutësh”, rrefuzoj ti pranoj dhe nuk më del koha ti numëroj.

Nuk mbrohen hajdutët pa dyshim. Por aq më pak mbrohen hajdutët që bërtasin “(s)kap-eni hajdudin”.

Por kam një sugjerim, ata që kanë marrë para nga “hajdutët e qeverisë” duhet ti kthejnë ato. Çdo gjë që kanë marrë nga hajdutët para, leje e liçensa etj duhet ti kthejnë menjëherë.

Kaq, për aq sa në këto fjalë zotëria i referohet argumenteve të mia publike mbi këtë nen.