Shefja e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber, prezantoi sot analizën mbi ecurinë e ekonomisë dhe financave shqiptare, duke shpalosur gjithashtu rekomandimet e Fondit për zhvillimin ekonomik të vendit.

Weber theksoi se Shqipëria vazhdon të jetë një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një parashikim të rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3% për 2025 dhe 2.6% për 2026. Sipas saj, ky ritëm nxitet kryesisht nga kërkesa e fuqishme e brendshme dhe një sektor turizmi i fortë.

Sipas FMN-së, politika fiskale ka ndihmuar në uljen e borxhit të brendshëm, ndërsa inflacioni është stabilizuar nën objektiv si rezultat i politikës monetare. Sektori bankar mbetet i mirëbalancuar dhe me likuiditet të lartë, ndërkohë që disbalancat e jashtme janë tkurrur. Norma e papunësisë ka arritur nivele historikisht të ulëta, por sfidat mbeten, veçanërisht në trysninë fiskale dhe shpenzimet për shërbimet sociale.

FMN rekomandon rritjen e të ardhurave nga tatimet e ulëta, avancimin e reformave në taksën e pronës dhe përmirësimin e përdorimit të teknologjisë së informacionit për mbledhjen e të dhënave. Sektori financiar, sipas Weber, kërkon vëmendje të veçantë për shkak të rritjes së huadhënies bankare dhe menaxhimit të kujdesshëm të valutës.

Shefja e FMN-së nënvizoi nevojën për bashkëpunim institucional dhe qeverisje të fortë për të kapërcyer pengesat strukturore, ku produktiviteti mbetet i ulët, krahu i punës po tkurr nga papunësia e të rinjve dhe emigracioni, ndërsa dobësitë e qeverisjes vazhdojnë të paraqesin sfida për bizneset.

FMN do të vazhdojë të punojë me autoritetet shqiptare për të nxitur stabilitetin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës, duke planifikuar një vlerësim të stabilitetit financiar në përputhje me procedurat e FMN-së dhe Bankës Botërore. Po ashtu, Fondi po ngre një qendër rajonale për Ballkanin Perëndimor për të përforcuar monitorimin dhe bashkëpunimin në rajon.