Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Në të gjitha qytetet e vendit, si edhe në trevat shqiptare jashtë kufijve, janë zhvilluar aktivitete për të nderuar këtë ditë simbol të identitetit dhe unitetit mbarëkombëtar.
Qendra e festimeve mbetet qyteti i Vlorës, aty ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ceremonitë shtetërore, homazhet, parakalimet festive dhe aktivitetet kulturore kanë mbledhur qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe figura të njohura të jetës publike.
Data 28 nëntor lidhet ngushtë edhe me Ditën e Flamurit, duke sjellë në vëmendje figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Më 1443, në Krujë, heroi kombëtar ngriti flamurin e Kastriotëve, duke shënuar fillimin e qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ky akt u bë simboli i parë i bashkimit dhe vetëdijes kombëtare.
Plot 469 vite më vonë, në atë që historia e njeh si “Nëntori i dytë”, Ismail Qemali dhe 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Kuvendin e Vlorës për të shpallur Pavarësinë. Prej tyre, 40 delegatë nënshkruan Aktin historik, i cili i dha Shqipërisë statusin e një shteti të pavarur dhe sovran.
Pas shpalljes, Asambleja formoi Qeverinë e parë të Pavarur të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve organ këshillimor i njohur si Pleqësia duke vendosur themelet e shtetit modern shqiptar.
113-vjetori i Pavarësisë vjen si një ditë reflektimi dhe krenarie kombëtare, ndërsa flamuri kuqezi valëvitet sot në çdo skaj ku jetojnë shqiptarë.




















