Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Alfabetit. Në një postim në rrjete sociale, ai shkruan se kjo ditë vulosi jo vetëm shqipen si kod gjuhësor por edhe si një univers identiteti, ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha.
“Mirëmëngjes dhe gëzuar Ditën e Alfabetit, ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash në rrugën drejt së ardhmes ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha”, ka shkruar kryeministri.
22 nëntori, që shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, u shpall një vit më parë festë zyrtare. Kjo ditë ka një simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Kongresi miratoi vendimin për pranimin e alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.





















