Këtë mërkurë, më datë 26 nëntor, mblidhet komisioni i posaçëm për të përcaktuar emrin e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili do t’i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Krahas komisionit të përbërë nga tre prokurorë të posaçëm, të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të misioneve që kanë asistuar procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të BKH-së, BE dhe OPDAT.

Mësohet se gjatë fazës së fundit, njëri nga shtatë kandidatët është skualifikuar nga gara për pozicionin drejtues. Aktualisht në garë kanë mbetur gjashtë kandidatë.

I gjithë grupi konkurrues ka kaluar fazën e testit të arsyetimit logjik, kontrollin mjekësor, testin fizik, esenë me shkrim, intervistën, verifikimin e figurës, deklarimin e pasurisë dhe testin e poligrafit.

Pasi komisioni t’ia dërgojë emrin KLP-së, “qeveria e prokurorëve” voton kandidatin që do të marrë mandatin 5-vjeçar për të drejtuar “FBI-në shqiptare”.

Mandati i ish-drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, përfundoi në muajin gusht të këtij viti, duke hapur rrugën për zgjedhjen e drejtuesit të ri.