Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar sot në rrjetin social X pas debatit në Parlament, duke e cilësuar sulmin ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian si “paprecedent” dhe të papranueshëm. Deklarata e saj për shtyp vjen pas deklaratës së Kreut të PD-së këtë enjte paradite në hyrje të Kuvendit.

Spiropali shprehet se normalizimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve mbi Ligjin për Barazinë Gjinore janë të papranueshme. Ajo thekson se Qeveria Shqiptare dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga retorika e tillë.

“Është rasti të përsërisim me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë për të ngushtuar në ZERO hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat,” shkruan Spiropali.