Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali uroi sot Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe përmes një videoje emocionuese, ku fëmijët shqiptarë në diasporë recitojnë vjersha në gjuhën shqipe

Spiropali theksoi në një postim se pamjet janë dëshmi se gjuha shqipe, e rrënjosur thellë në identitetin tonë kombëtar, trashëgohet ndër breza shqiptarësh, kudo që ata ndodhen e jetojnë.

Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit.

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.

Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu dhe alfabeti i ri.