Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Elisa Spiropali, ka bërë të ditur në një postim në rrjetet sociale se së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, kanë përuruar godinën e re të Misionit të Shqipërisë në BE.

“Shtëpia e re e Misionit tonë në BE”, shkruan Spiropali, duke e cilësuar infrastrukturën e re diplomatike si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin europian të vendit.

Ajo thekson se përurimi vjen në një moment kyç për procesin e integrimit:

“Teksa hapja e të gjithë kapitujve të negociatave e fut vendin në një fazë të re, më pranë objektivit për anëtarësim, por edhe më sfiduesja…”

Sipas ministres, Misioni i Shqipërisë në Bruksel ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë etapë të re të negociatave:

“…misioni shqiptar në Bruksel përfaqëson pasionin dhe vokacionin e skuadrës sonë kombëtare, duke qenë fytyra e Shqipërisë në zemër të Europës.”

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në prani të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shqiptare dhe atyre europiane, ndërsa godina e re pritet të forcojë kapacitetet e ekipit negociator dhe praninë diplomatike të vendit në Bruksel.