KE ka reaguar për Lexo.al pas sulmit që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri dje Silvio Gonzatos dhe pas miratimit të ligjit për barazinë gjinore nga Parlamenti Shqiptar.

Në reagim, delegacioni thekson se përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin çdo vend kandidat duhet ta sigurojë.

“Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE,” thuhet në reagim.

Sipas Delegacionit, siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në rrjetet sociale, barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së dhe përbëjnë vlera dhe të drejta themelore.

Delegacioni i BE-së mirëpret miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore dhe e konsideron këtë një hap përpara në përmbushjen e standardeve evropiane. Ky ligj pasqyron edhe rekomandimet e Raportit Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili u bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë një nivel të lartë ambicieje në përputhje me acquis të BE-së.

Reagimi përfundon duke theksuar se miratimi i këtij ligji është një tjetër tregues i përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.