Vijojnë paraqitjet fantastike për ekipin e Barrikadës në “Sunday League”. Djemtë e drejtuar nga trajneri Ardit Biba kanë marrë tre pikët e radhës teksa mbrëmjen e djeshme kanë mposhtur me rezultatin 0 – 5 rivalët e “Futura Dent”. Pesë fitore në pesë ndeshje dhe Barrikada udhëheq kampionatin me pikë të plotë bashkë me Alpha CrossFit.
Një ndeshje e cila u kuptua që në minutat e para se do të “fliste” për Barrikadën teksa në 6 minutat e para gjeti dy herë rrugën e rrjetës me të përhershmin Arbër Mehmetllari. Numri 9 zhbllokoi fillimisht shifrat nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas shfrytëzoi si duhet asistin e Leon Çotës.
Pas dy golave, Mehmetllari shfaqet në rolin e asistuesit teksa shërben ndaj Mario Gjokës i cili mposht portierin kundërshtar në minutën e 22-të dhe 35-të. Vulën fitores ja vendos sulmuesi me numrin 44 Agim Saraçi.
Kështu pas 5 javësh kampionat Barrikada FC vazhdon serinë e sukseseve me një tjetër ndeshje dominuese! Ekipi i teknikut Ardit Biba duket se këtë sezon e ka seriozisht garën për titull.
View this post on Instagram




















