Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, është shprehur se është i hapur për një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes dy vendeve.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe unë e kuptojmë nevojën për komunikim të rregullt. Është e rëndësishme të diskutojmë çështjen ukrainase dhe të avancojmë axhendën dypalëshe. Kjo është arsyeja pse ne komunikojmë me telefon dhe jemi të gatshëm të zhvillojmë takime ballë për ballë kur është e nevojshme”, tha Lavrov në një intervistë për agjencinë RIA Novosti.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në Moskë po qarkullojnë raportime për tensione mes Lavrov dhe presidentit Vladimir Putin, pas aludimeve për mosmarrëveshje të mundshme gjatë bisedave me homologun amerikan, të cilat thuhet se ndikuan edhe në shtyrjen e një takimi të planifikuar mes liderëve të dy vendeve.
Në të njëjtën intervistë, kreu i diplomacisë ruse kritikoi ashpër iniciativën e Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë në mbështetje të Ukrainës.
“Pavarësisht se si është orkestruar plani për të zhvatur para nga rusët, nuk ka asnjë mënyrë ligjore për ta bërë këtë”, deklaroi ai, duke shtuar se “Rusia do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse reagoi ashpër ndaj vendimit të BE-së për kufizimin e vizave Shengen për qytetarët rusë.
“Ata janë vizitorë plotësisht të ligjshëm, turistë nga Rusia, të cilët janë me dokumente, dhe me me një portofol të caktuar financiar që garanton praninë e tyre ligjore në territorin e Bashkimit Evropian. Mendoj se e gjithë kjo po e çon Evropën drejt vetëvrasjes. Evropa vazhdon të ecë në prag të vetëvrasjes”, u shpreh ajo.
Në frontin lindor, situata në Donbas po përkeqësohet ndjeshëm për forcat ukrainase. Sipas raportimeve të CNN-it, trupat ruse ndodhen pranë marrjes së kontrollit të Pokrovskut, një qendër strategjike në rajonin e Donetskut. Ushtarët ukrainas në terren kanë bërë të ditur se janë “pothuajse të rrethuar” nga njësitë e Moskës.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 196 përleshje në këtë zonë, ndërsa Kievi njofton se ka arritur të zmbrapsë 73 sulme ruse.
Ndërkohë, Ukraina vijon të përballet me pasoja të rënda pas goditjeve ajrore që kanë shkatërruar pjesë të mëdha të infrastrukturës energjetike. Autoritetet janë duke punuar për rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe ngrohje, pasi sipas burimeve zyrtare, kapaciteti prodhues i vendit është reduktuar pothuajse në “zero”.
Moska ka intensifikuar sulmet kundër rrjeteve energjetike ukrainase, duke përdorur qindra dronë gjatë natës së kaluar. Nga ana tjetër, dy rajone ruse pranë kufirit me Ukrainën raportuan ndërprerje të energjisë për rreth 20 mijë persona, pas goditjeve të Kievit ndaj infrastrukturës përtej kufirit.
Në këto kushte, Ukraina i ka kërkuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve.
“Këto rreziqe janë të papranueshme”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga, duke paralajmëruar se “Rusia po rrezikon me vetëdije sigurinë bërthamore të Evropës”.




















