Këshilli i Ministrave i është drejtuar më 21 nëntor Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila më vendimin e saj pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Qeveria argumenton se ky vendim cenon kompetencat e tre institucioneve kushtetuese: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
Qeveria kërkon pezullimin vetëm të pjesës së vendimit që lidhet me largimin nga detyra të Ballukut, duke pretenduar se ky akt prek interesa të lartë shtetërorë e shoqërorë, si dhe të vetë individëve të përfshirë.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional, pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për t’u miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që drejtohet nga ministri i pezulluar”, argumenton Këshilli i Ministrave në dokument.
Sipas qeverisë, Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat të drejta me deputetët.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është e pandehur për procedurat e dyshuara të parregullta në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.
Sipas GJKKO-së, masa është e nevojshme pasi ekziston rreziku që Balluku të prishë provat, të ndikojë tek dëshmitarët apo të kryejë vepra të tjera të ngjashme “ose dhe më të rënda”, për shkak të funksioneve që ushtron, si dhe rreziku i arratisjes nga vendi.
Së bashku me të, në arrest shtëpie u vendosën vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.




















