Gazetarja Alba Alishani ka analizuar kohën e humbur dhe dëmin buxhetor që, sipas saj, i ka shkaktuar Kosovës ngërçi i zgjatur politik dhe mosformimi i qeverisë deri në shpalljen e zgjedhjeve. E ftuar në emisionin Review me moderatoren Greta Topjana në Euronews Albania, Alishani deklaroi se ky ngërç i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 2 milionë euro.
Ajo shtoi gjithashtu se deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature, pavarësisht se ajo u shpërnda pa funksionuar plotësisht, do të marrin pagën edhe për një vit tjetër.
“Në fakt nuk ka shumë për të thënë sepse gjithçka ishte e pritshme. Edhe kurthet u kuptuan. Ti përmende orët që ka punuar kjo legjislaturë, e nënta me radhë. Janë vetëm 750 minuta, pra 63 seanca të mbajtura, dhe vetëm dy prej tyre kanë pasur punë të mirëfilltë gjithsej rreth 12 orë. Dhe kjo i ka kushtuar 2 milionë euro. Për tre muaj pothuajse bëjnë sa një vit. Ata do të marrin pagat edhe për një vit tjetër. Ka shumë më tepër humbje për buxhetin e Kosovës”, – tha Alishani.




















