Trupa e gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese vijon prej disa orësh mbledhjen për çështjen e kryetarit të shkarkuar të Tiranës Erion Veliaj.
Burime të Euronews Albania bëjnë me dije se pas orës 5 të pasdites Kushtetuesja pritet të dalë me një vendim.
Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema mësoi se gjatë fundjavës trupa e Gjykatës Kushtetuese është angazhuar për të shqyrtuar gjithçka është thënë në seancën 7 orëshe të së premtes, ku gjykata dëgjoi ish-kryebashkiakun Erion Veliaj dhe palët në proces, qeverinë dhe presidencës.
“Tre janë skenarët e vendimit që mund të dalë nga mbledhja e kushtetuese; skenari i parë, kërkesa e Veliajt të rrëzohet; skenari i dytë që Kushtetuesja ta pranojë kërkesën e Veliajt, me argumentin se procedura e ndjekur për shkarkimin e tij është e padrejtë. Ka dhe një skenar të tretë, përderisa Kushtetuesja ka 8 anëtarë, kemi një numër çift dhe jo 9 anëtarë, mund të kemi një vendimmarrje 4-4, që do të thotë që kërkesa e Veliajt rrëzohet automatikisht dhe miratohet vendimi i qeverisë”, raportoi gazetarja Enkelejda Mema.




















