Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar partneritetin e fortë mes Tiranës dhe Uashingtonit.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, shprehet Rubio në reagimin zyrtar.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në angazhimin e përbashkët për siguri dhe prosperitet.
Rubio nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si aleate në NATO dhe kontributet e saj në mbrojtjen.
“Partneriteti ynë në fushën e zbatimit të ligjit i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, shtoi ai.
Në mesazh u përmend edhe bashkëpunimi i ngushtë në fushën e sigurisë kibernetike, ku SHBA vlerëson hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike.
Në mbyllje, Rubio shprehu dëshirën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh: “Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, të rrisim lidhjet ekonomike dhe të forcojmë miqësinë tonë të qëndrueshme me Shqipërinë.”




















