Shqipëria zhvillon sot zgjedhjet e pjesshme vendore. Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e sotme me një postim në rrjetet sociale, ku iu bën thirrje qytetarëve në 5 bashkitë që të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

“MIRËMËNGJES dhe me ftesën për qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit e Tepelenës, për të votuar sot në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryebashkiakët e rinj, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama.

Janë 334 mijë qytetarë me të drejtë vote që sot zgjedhin kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Mat. Ndryshe nga PS, PD në këto zgjedhje nuk ka dalë me kandidatë zyrtarë, por mbështet kandidatë të pavarur.