Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt këtë të diel. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e ushtrimit të të drejtës së votës.
“Ju treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra,” shkruan Kurti.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, gjithashtu u drejtua ndaj aktivistëve të partisë, duke vlerësuar fitoret e arritura në këtë raund zgjedhor:
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve.”
Kurti përfundoi mesazhin me një ton optimist, duke theksuar sfidat dhe mundësitë që e presin qeverisjen e re:
“Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore.”




















