Me vettingun i cili nuk është mbyllur ende, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u nënkuptua se qytetarët i priste një drejtësi më e mirë, por jo.

Ata janë të pakënaqur dhe këtë e tregojnë të dhënat e ankesave pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucioni përgjegjës për të hetuar shkeljet administrative tw njerëzve të drejtësisë. Për një vit pranë ILD depozituan ankesa ndaj gjyqtarëve të të gjitha shkallëve dhe prokurorëve, 8451 shtetas.

Aktualisht 2051 prej tyre vijojnë të jenë ende nën verifikim nga inspektorët. Shqetësimet e paditësve apo atyre që kanë kërkuar angazhimin e ILD rezultojnë të njëjta si të viteve të kaluara, kohëzgjatje tej afateve ligjore të proceseve dhe zvarritje hetimore, vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe dyshime për shkelje të paanshmërisë.

Në këtë kuptim para një situate me stok dosjesh po vërehet trendi i kërkesave për përshpejtim.

Në një nga inspektimet e ILD në disa gjykata ka rezultuar se gjykimet zgjaten jo vetëm për shkak të stokut, vakancat por edhe të ngarkesës së magjistratëve që për gjykatën e Tiranës rezulton të jetë për çdo gjyqtar 1176 çështje nën gjykim.

Ndërsa për gjykatat e tjera të të njëjtit nivel, është 841 ,7 çështje për gjyqtar. Aktualisht stoku ka shkuar në mbi 140 mijë çështje dhe këshilli i lartë gjyqësor ka caktuar kohëmatës për proceset në varësi të natyrës penale dhe civile, por situata vazhdon e vështirë.

Departamenti i Informacionit, më i madhi, më kryesori në Top Channel, i cili shënoi fillimin e televizionit me edicionin e lajmeve në 20 dhjetor 2001. Përmes informacioneve të shpejta, të sakta dhe të thelluara, reportazheve dhe rubrikave të tjera informative, Top Channel është kthyer në burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarëshqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë. Top Channel është i pranishëm me kamerat dhe gazetarët e tij në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të vendit dhe në botë, me edicionet e tij informative./TCH