Dy biznesmenët të cilët SPAK i akuzon se krijuan një grup kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, vijojnë ende të jenë në kërkim. Në mungesë të tyre, Gjykata e Posaçme zhvilloi seancën për rivlerësimin e masave të sigurisë, 6 prej të cilave të ekzekutuara.
Avokatët e palëve kërkuan të njiheshin me aktet të cilat iu vunë në dispozicion vetëm në nisje të seancës, ndaj gjykata i dha më shumë se 3 orë kohë.
E vetmja masë që ndryshoi, ishte për zv/drejtorin e Policisë së Tiranës të dyshuar edhe ai për grup kriminal, Erion Ismailaj të cilit iu revokua ndalimi për të dalë jashtë vendit, por pezullimi nga detyra mbetet në fuqi.
Drejtuesja e AKSHI- Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi mbeten në masë arresti shtëpiak. Me masë ndalim jashtë vendit janë edhe tre administratorë të kompanive.
Agasi dhe Beqiraj, të cilët dyshohet se e kanë lënë vendin, akuzohen se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.




















