Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, Forcat Operacionale kanë zhvilluar një operacion të befasishëm në zonën e Bajratit në Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit.

Gjatë aksionit në Fushë-Kuqe, janë arrestuar dy persona të shpallur në kërkim nga SPAK. Ata janë identifikuar si Elvin Merlika dhe Alket Xhixha, ushtarë të Ervis Martinajt.

Elvin Merlika dyshohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje. Më herët SPAK kërkoi edhe konfiskimin e 20 pasurive në emër të tij dhe të familjarëve, por kërkesa u rrëzua në gjykatë.

Ndërsa i arrestuari i dytë, Alket Xhixha dyshohet si personi që bëri të mundur takimin e Nuredin Dumanit dhe Ervis Martinajt. Emrat e tyre kanë dalë pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Në të dy operacionet Dobraç dhe Fushë-Kuqe, Operacionalja kanë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.