Fitorja e LVV-së dhe e Albin Kurtit në Kosovë është më shumë se një rezultat elektoral: është një shuplakë e fortë për pseudozgjedhjet dhe pseudofituesit e tyre në Shqipëri.
Albin Kurti fitoi bindshëm zgjedhjet në Kosovë edhe një herë tjetër, duke dhënë një sërë mesazhesh që rrëzojnë mitet e politikës së vjetër ballkanike:
Në Ballkan zgjedhjet mund të fitohen edhe pa përdorur administratën shtetërore.
Mund të fitohen pa bërë pakte me biznesmenë multimilionerë.
Mund të fitohen pa kërkuar ndihmën e botës së nëndheshme të krimit.
Mund të fitohen edhe kur nuk kontrollon mediat.
Dhe mund të fitohen pa bërë pakt me djallin, duke ruajtur lirinë për të kundërshtuar kur duhet dhe për të dialoguar kur është e nevojshme.
Por, mbi të gjitha, 28 dhjetori ishte një leksion i pastër demokracie nga qytetarët e Kosovës. Të njëjtët qytetarë që, vetëm pak javë më parë, nuk i aprovuan kandidaturat e LVV-së në disa komuna kyçe dhe mbështetën figura të opozitës sipas preferencave të tyre programore, këtë herë refuzuan politikën destruktive të stilit “për inat të vjehrrës shkoj e fle me mullixhiun”.
Kosova kishte nevojë për qeveri. Dhe tani do ta ketë.
Qytetarët kosovarë kërkuan zgjidhje politike reale nga partitë dhe liderët e tyre dhe folën qartë kundër atyre që kishin gjithçka, përveçse qartësi politike, përgjegjësi dhe vullnet për të qeverisur vendin.




















