Nga Edona Bilali/
Zgjedhja e Avokatit të Popullit u kthye në një seancë turpi në Kuvend këtë të enjte. Një konkurs mes deputetëve opozitarë që mundoheshin të justifikonin të pajustifikueshmen. Një ditë e tërë në Parlament me ‘ i dhamë firmat’ ‘si dhamë firmat’.
Sali Berisha nuk është shquar asnjëherë që mban përgjegjësi. Nuk ka mbajtur përgjegjësi politike për asnjë palë zgjedhje të humbura. Pas çdo humbje ndërron veç kënga mbrapa. Deri këtu nuk ka asnjë habi, por habia vjen tek fyerja që u bëhet qytetarëve me tentativën për të mbuluar diellin me shoshë, një tentativë e dështuar për të manipuluar një popull që ja kthen reston me votë çdo herë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e tha shumë qartë në deklaratën e tij të datës 2 Dhjetor: ‘“PS nuk do propozojë asnjë kandidat për Avokat të Popullit. Do vlerësojmë kandidaturat që janë mbështetur me firma nga opozita. Më pas do vendosim se cilën kandidaturë do mbështesim’. Kështu u tha, kështu u bë. Këtu fillon dhe mbaron çështja sa i takon Partisë Socialiste.
Tani vijmë tek marifeti i mbetur në tentativë i Partisë Demokratike dhe sesi deputetët e Partisë Demokratike me përjashtim të znj. Elda Hoti mohuan çfarë kishin firmosur, justifikuan firmën dhe gënjyen publikisht për përmbajtjen e shkresës së mbështetjes. Znj. Hoti kërkoi falje, duke sulmuar mazhorancën por kërkoi falje gjithsesi.
‘Carta Canta’ është përgjigja më e mirë për këdo që u mundua të distancohet nga ky proçes:
35 Deputetë nga të cilët 30 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Mundësia dhe 3 nga Partia Social Demokrate (pra 7 më shumë sesa 28 firma të domosdoshme) firmosën me vullnet të lirë për të mbështetur Endrit Shabanin për pozicionin e Avokatit të Popullit, jo për Miss Universin as për ndonjë pozicion tjetër. Në dokumentin që mban datën 2 Dhjetor 2025 shkruhet qartë ‘….mbështetje e kandidaturës për pozicionin e Avokatit të Popullit’. Këtu bien të gjithë alibitë e harresave, padijenive apo çdo gjë tjetër që tentuan të sajojnë këto ditë.
Gënjeshtra kryekëput ishte e vetë Kryetarit të Partisë Demoraktike, atij që tërheqjen nga vendimet e ka moto (ref. tërheqjes nga politika në vitin 2013). U mundua ta justifikonte me koalicion të përkohshëm për zgjedhjet lokale në Tiranë por drejtuesi politik elbasanlli i Shkodrës e nxorri në rrenë. Berisha në një dalje publike pranoi (pas disa mohimesh) që kandidati ishte propozim i tyri por që propozimi kishte ardhur pas marrëveshjes për mbështetjen e Florian Binajt si kandidaturë për pozicionin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë por ‘carta canta’ zgjedhjet e Tiranës u anulluan në 3 Nëntor 2025 me Vendim të Gjykatës Kushtetusese ndërkohë që Luçiano Boçi firmosi në datë 2 Dhjetor 2025 për të mbështetur Endrit Shabanin për pozicionin e Avokatit të Popullit.
Si për ironi nga Elbasani, dje, pasi e kuptoi që gënjeshtrat e tij janë me video e audio dhe elektorati i djathtë s’i hanë gënjeshtrat e tij, Sali Berisha tha: ‘Gabim ishte, e pranoj dhe ju jeni të shqetësuar. Gabim ishte ajo me firmat e Endri Shabanit, avokatit të Edi Ramës, dhe unë ju kërkoj ndjesë. U dhanë ato firma në periudhën kur pati mbështetje ndaj kandidatit tonë të Tiranës’. Sali Berisha dje pranoi gabimin por duke gënjyer përsëri sepse vesi del me shpirtin.




















