Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë nënshkruar një marrëveshje historike të mbrojtjes, e cila parashikon operimin e një flote të përbashkët për të gjurmuar nëndetëset ruse në Atlantikun e Veriut.
Pakti synon mbrojtjen e kabllove nënujore dhe tubacioneve të energjisë, të cilat zyrtarët britanikë i konsiderojnë gjithnjë e më të rrezikuara nga aktivitetet e Moskës.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, gjatë dy viteve të fundit është shënuar një rritje prej 30% e mjeteve detare ruse të vërejtura në ujërat britanike.
Marrëveshja, e njohur si “Lunna House”, mbështetet nga një kontratë prej 10 miliardë paundësh për ndërtimin e anijeve luftarake mes dy vendeve, e nënshkruar në shtator. Flota e përbashkët do të përfshijë të paktën 13 anije anti-nëndetëse, pesë prej të cilave norvegjeze, që do të patrullojnë zonën mes Groenlandës, Islandës dhe Britanisë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke theksuar se forcon aftësinë e vendit për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Ndërkohë, homologu i tij norvegjez Jonas Støre vizitoi bazën RAF Lossiemouth në Skoci, ku dy liderët u informuan nga ekuipazhet e patrullës detare për lëvizjet e mjeteve ruse, përfshirë anijen spiune Yantar.




















