Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që u mbajt këtë të mërkurë, kryetari i kësaj force politike Sali Berisha doli në një prononcim të shkurtër për mediat, ku adresoi çështjet e diskutuara në këtë takim, ndërsa iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve.
Berisha u pyet nëse do ta përjashtojë nga PD ish-deputetin Ervin Salianjin, pas përplasjes mes tyre në distancë që nisi me zhvillimin e një turi paralel takimesh me bazën e partisë.
“Edhe njëherë, gjithçka kam patur unë për këtë çështje e kam shprehur si kryetar i PD-së dhe atë e garantoj që nuk e lëviz dot. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija absolute e kuqe janë bandat e krimit. Jo, nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime!”, iu përgjigj Berisha pyetjeve mbi Salianjin.
I pyetur për akuzat e Ervin Salianjit ndaj Arjan Ndojit, Berisha u përgjigj shkurt se i qëndron plotësisht deklarimeve të tij të mëparshme. “Bandat janë vija e kuqe për PD,” përsëriti ai.
Në pyetjen direkte nëse Salianji përjashtohet nga Partia Demokratike, Berisha u mjaftua me përgjigjen: “Shih statutin.”
Berisha: Do kemi revolta, jo protesta!
Ndërkohë lidhur me mbledhjen e sotme, Berisha tha se u diskutua në lidhje me zhvillimin e protestave.
“Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së, të cilat do t’i japin përgjigjen përfundimtare kësaj kalbësire që kundërmon në të 4-anët e Shqipërisë dhe botës, vjedhje, drogë, drogë dhe vjedhje. Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së, kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar që shkojnë në një linjë e cila shënon vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave të cilat do të ndërpriten vetëm kur ky regjim të arkivohet në banesën e turpit të historisë”, tha ai.
I pyetur nëse po iu vlon gjaku demokratëve për të protestuar, Berisha tha: ”Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri që ju nuk e imagjinoni dot. Jua them unë. Një vendosmëri e atillë që kjo parti nuk e ka patur ndonjëherë. Pra, është një zhvillim, një ndërgjegjësim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv. Natyrisht, pavarësisht se po shkërmoqet, pavarësisht se është në agoni, pavarësisht se po projekton grusht shteti, përsëri duhet që populli ta kërrejë dhe populli shqiptar do ta kërrejë Edi Ramën, pengu i Lubi Ballukut, i Ergys Agasit. E morët vesh ju apo jo? Ergys Pengmarrësit. Ergys Pengmarrësit, njeriut që merr peng, peng në emër të baxhanakut.”
Berisha nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me organizimin e protestave, por e mbylli prononcimin për mediat me fjalët: “Protestat absolutisht, revoltë, jo protesta. Ato do t’i mësoni që të gjitha se janë sekrete të organizatorëve!”




















