Historiani Hasan Bello zbulon dokumente dhe dëshmi të origjinës së komunistëve shqiptarë dhe ndikimi që patën në kulturën politike përmes instalimit të frikës, terrorit dhe vrasjeve politike.

Konfliktet e brendshme të kohës së parë të komunistëve shqiptarë dhe mekanizmat e terrorit dhe eliminimit politik qysh në fillime, do të përcaktonin fatin e Shqipërisë për dekada. Historiani Hasan Bello sjell një seri faktesh të panjohura mbi rolin e emisarëve jugosllavë në formimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe ndikimin thelbësor që patën te diktatori Enver Hoxha.

Në një intervistë për Tema, historiani flet për kujtimet e Dushan Mugoshës, një nga figurat më të errëta dhe me ndikim në historinë tonë. Bello thotë se kujtimet e Mugoshës mbërritën në Shqipëri rreth vitit 1970, për të cilat u interesua personalisht Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit. Ditari i emisarit serb u gjend në arkivat shqiptare duke hapur një dritare të re mbi rolin e serbëve në ngjarjet shqiptare të viteve ’40. Dokumentet tregojnë se çdo komunist shqiptar që fliste hapur për çështjen e Kosovës “tërhiqej mënjanë dhe eliminohej”, shpesh me urdhër të emisarëve jugosllavë.

Udhëtimi i parë i Mugoshës në Shqipëri, i organizuar si një mision koordinues, shënon edhe fillimin e ndikimit të drejtpërdrejtë politik të Beogradit në lëvizjen komuniste shqiptare. Në kujtimet e tij, Mugosha e përshkruan Shqipërinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore si një vend të fragmentuar politikisht, me grupe rivale që shfrytëzoheshin dhe përplaseshin në funksion të interesave të huaja. Sipas Bellos, Mugosha shfaqet si projektues i një lufte civile në jug të vendit, duke nxitur përplasjet mes grupeve komuniste dhe nacionaliste.

Mugosha shkruan gjerësisht për të ashtuquajturin “grup të trockistëve” dhe për nacionalistët e lumit të Vlorës, të cilët i cilëson si pengesë për instalimin e linjës së Beogradit në Shqipëri. Sipas historikut Bello, këto kujtime hedhin dritë mbi mënyrën se si Enver Hoxha eliminoi kundërshtarët e tij politikë, shpesh përmes ndërhyrjes direkte të emisarëve serbë.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës ndalet te mënyra se si Mugosha e portretizon Enver Hoxhën: i bindur, i frikësuar dhe i varur nga udhëzimet e emisarëve jugosllavë. Këto përshkrime plotësohen nga dëshmitë e Qemal Stafës dhe Koço Tashkos, të cilët flasin për kohën kur jugosllavët hynë në Shqipëri dhe për rolin dominues që morën në strukturat drejtuese.

Bello thekson fjalorin vulgar, përshkrimet brutale dhe rrëfimet mbi torturat çnjerëzore të Mugoshës ndaj shqiptarëve që nuk i bindeshin misionit të tij, dëshmi tronditëse për metodat që solli emisari serb në Shqipëri. Ai përshkruan një kulturë politike të mbështetur në frikë, eliminim dhe terror, traditë që, sipas Bellos, u trashëgua më pas në modelin e vrasjeve politike në historinë shqiptare.

Bello flet për vrasjet politike në Shqipëri në një shekull duke u ndalur te detaje të njohura mbi plagosjen e Ahmet Zogut, dhe rolin që pati Avni Rustemi në këtë ngjarje.

Historiani ndalet te tranzicioni i vitit 1990. Ai sjell një lexim të ri të konceptit të shumëpërfolur të “Katovicës”, një marrëveshje që mund të mos ketë ekzistuar kurrë në letër por që koha e tregoi se ndryshimi i sistemit ishte thjesht një skemë rotacioni e kontrolluar që synonte të garantonte mbijetesën e elitës komuniste në sistemin e ri pluralist. Sipas Bellos, demokracia shqiptare lindi si një proces i negociuar, jo si një rrëzim i regjimit. Në intervistë përmendet edhe një dëshmi e fortë nga “eminenca gri” e Ramiz Alisë, që hedh dritë mbi marrëdhëniet e tij me faktorë ndërkombëtarë.

Një tjetër pjesë e rëndësishme është ajo që lidhet me infiltrimin e Sigurimit të Shtetit në strukturat e para të Partisë Demokratike. Duke u bazuar në dëshmi të protagonistëve të kohës, Bello argumenton se pjesë e aparatit të vjetër dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit u ricikluan brenda partisë së re, duke ndikuar drejtpërdrejt kulturën politike të tranzicionit.

Rënia e komunizmit: shpërthim i kontrolluar

Intervista mbyllet me diskutimin mbi një dokument që përshkruan raportet e Ramiz Alisë me CIA-n amerikane dhe idenë se rënia e komunizmit në Shqipëri ishte më shumë një “shpërthim i kontrolluar” sesa një revoltë spontane./TEMA