Aktori i humorit, Bes Kallaku është rikthyer në vëmendjen e publikut me një rrëfim të ndjerë gjatë një interviste me Grida Dumën, ku foli hapur për kapitujt e mbyllur të jetës së tij, përfshirë edhe divorcin nga Xhensila Myrtezaj, një temë që vijon të zgjojë interes të madh.

Pa hyrë në detaje personale, aktori theksoi se për të e shkuara është një histori e përfunduar dhe se fokusi i tij është plotësisht te e tashmja dhe te rruga që po ndërton sot.

“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen”, u shpreh Kallaku, duke shtuar se nuk e konsideron veten si dikë të jashtëzakonshëm, por si një njeri që ka ndikuar pozitivisht në jetën e të tjerëve.

Gjatë bisedës, ai foli edhe për zhgënjimet që ka përjetuar nga njerëz që dikur i kishte pranë, duke nënvizuar se jo gjithmonë mirësia kthehet në të njëjtën mënyrë.

Megjithatë, mesazhi i tij ishte optimist: çdo natë, sado e gjatë të jetë, përfundon me lindjen e diellit.

Kallaku theksoi se forca dhe pasuria e tij më e madhe janë dy fëmijët, prindërit dhe besimi te Zoti.

“Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?”, tha ai, duke shtuar se jeta nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë.

Rrëfimi i aktorit u perceptua nga publiku si një reflektim i sinqertë mbi humbjet, zhgënjimet dhe fuqinë për të ecur përpara, pavarësisht gjithçkaje.