Ervin Salianji anëtari i kryesisë së PD ka nisur këtë të mërkurë turin e foltoreve nga Durrësi, ku u prit nga mbështetës të strukturave lokale të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij, deputeti u ndal te nevoja për rikthimin e energjisë së demokratëve dhe përgatitjen e PD-së për të udhëhequr ndryshimin politik në vend.

“Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD”, deklaroi Salianji.

Nga ana tjetër Salinji ka thënë se Shqipëria sipas tij po thërret dhe nuk duhet injoruar.

“Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësisë së çdo politikani”, theksoi ai.

Salianji u shpreh se ky tur dëgjesash synon të rikthejë komunikimin e drejtpërdrejtë me bazën dhe të ndërtojë një platformë të qartë për ringritjen e partisë.

“E kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që gjithë po presin. Ky ndryshim nis edhe nga kjo sallë, si takimi i parë që zhvillojmë me demokratët, nga kjo energji që është e pashtershme në PD por që nuk i jepet mundësia,” u shpreh ai.