Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të marrë vendimin përfundimtar mbi drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit këtë të martë, më 9 dhjetor, në orën 11:00. Në mbledhjen e radhës, anëtarët e KLP-së do të shqyrtojnë dhe të votojnë propozimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka sugjeruar emërimin e Joni Ketës në krye të BKH-së për një mandat pesëvjeçar.
Rekomandimi i SPAK-ut erdhi pas vlerësimit të një komisioni të posaçëm të përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, i cili më 26 nëntor konkludoi se Keta plotësonte standardet profesionale dhe të integritetit, duke u renditur si kandidati më i besueshëm ndër gjashtë aplikantët që kaluan etapën e verifikimeve dhe intervistave. Rezultatet u bënë publike në prani të përfaqësuesve të ICITAP-it dhe Bashkimit Europian, pas përfundimit të procesit të vettingut dhe kontrollit të figurës për të gjithë kandidatët.
Në garë për drejtimin e BKH-së ishin shtatë emra: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Institucioni mbetet pa një kryetar prej 31 gushtit, kur përfundoi mandati i ish-drejtueses Aida Hajnaj, ndërsa procesi i zëvendësimit u zvarrit për shkak të vonesave në sigurimin e dokumenteve nga disa institucione vendase dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, më 11 dhjetor 2025, KLP do të zhvillojë seancat dëgjimore dhe testimin e katër kandidatëve për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Gjatë intervistave, pretendentët do të paraqesin vizionin dhe prioritetet e tyre për drejtimin e SPAK-ut.




















