Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se vendi i tij ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të Presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm natën e së dielës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) ndaj rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.

Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.
Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si “gënjeshtra tipike ruse”, që synonin t’i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.

Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev dhe paralajmëroi se pretendimi i saj i fundit mund të sinjalizojë sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës.

“Të gjithë duhet të jenë vigjilentë tani. Absolutisht të gjithë. Një sulm mund të nisë në kryeqytet”, u tha Zelensky gazetarëve të hënën, duke shtuar se komentet e Rusisë ishin një kërcënim.

Ai tha se Rusia po kërkonte arsye për të vazhduar sulmet e saj ndaj Ukrainës dhe se e shihte përparimin drejt një armëpushimi si një dështim.
Zelensky shtoi në X: “Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.”