Për herë të parë, Kina ka testuar me sukses avionin “Jui Tian”, i njohur ndryshe si “Anija Nënë” ose “Aeroplanmbajtësja fluturuese”, pasi është i aftë të mbajë dhe të lëshojë në ajër deri në 100 dronë njëkohësisht.
Çfarë është “Jui Tian”?
Ky mjet fluturues nuk ka pilot në bord dhe drejtohet përmes telekomandës satelitore. Ai konsiderohet një “përbindësh” i vërtetë i ajrit. Kapaciteti i tij është mbi 6 tonë peshë, duke përfshirë armatime dhe dronë. Krahët shtrihen rreth 25 metra, dhe përveç dronëve, mund të mbajë raketa dhe bomba, duke tejkaluar kapacitetin e shumë avionëve gjuajtës modernë.
Strategjia e “tufës” së dronëve
Pse është kaq i rëndësishëm ky avion? Koncepti është i thjeshtë, por i frikshëm: avioni afrohet pranë objektivit dhe lëshon një “tufë” prej 100 dronësh që sulmojnë nga të gjitha drejtimet. Për sistemet mbrojtëse të armikut, është pothuajse e pamundur t’i ndalojnë të gjithë njëkohësisht.
Jo vetëm për qëllime ushtarake
Nëse nuk përdoret për luftë, Kina planifikon të shfrytëzojë këtë mjet gjigant edhe për transportin e mallrave të rënda në zona të largëta dhe për ndihma emergjente gjatë katastrofave natyrore.
Ky fluturim është vetëm maja e ajsbergut. Kina po teston gjithashtu GJ-11 Sharp Sword, një bombardues “i padukshëm” (stealth) që mund të fluturojë vetë, dhe nëndetëse pa ekuipazh, përkatësisht dronë nënujorë që nuk zbulohen nga sonarët.
Me këtë teknologji, Kina synon të zgjerojë fuqinë e saj ushtarake larg brigjeve të veta, duke u bërë një rival gjithnjë e më i fortë në fushën e teknologjisë së mbrojtjes.




















