Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Matit, pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës “Ura e Vashës” dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj.
“Në vijim të punës dhe kontrolleve të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.
Ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.




















