Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti foli për takimin e tij me Ervin Salianjin dhe më të votuarit në parti. Alimehmeti tha se ky takim vjen pasi organet e PD-së nuk mblidhen për të diskutuar dhe kritikon se prej 9 muajsh nuk është zhvilluar asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar.
Në pranverë, Alimehmeti thotë se do të zhvillohen zgjedhje brenda PD pasi mbarojnë mandatet. Ai thotë se është e rëndësishme që PD të organizojë zgjedhje transparente sepse vetëm kështu mund të marrë mbështetje nga qytetarët.
Për Alimehmetin e Rëndësishme është që të riorganizohet partia në çdo nivel, deri tek kryetari.
“Këshilli Kombëtar nuk thirret, u bë 9 muaj që nuk thirret. S’jemi thirrur në rrugë institucionale. Rruga institucionale nis nga lart poshtë, ne kishim sisa kërkesa e propozime që do çohen në kryesinë e PD në mbledhjen e parë që ajo do të bëjë. Nevojitet riorganizim i plotë, dhe për këtë ju e dini që gjatë muajve në vijim ne kemi mbarimin e të gjithë mandateve tona, në pranverë.
Do ketë zgjedhje brenda në parti, këtu kërkojmë një garë të hapur e të drejtë, që të garohet për çdo pozicion të mundshëm nga fillimi deri në fund, nga i pari tek i fundit, në çdo lloj niveli të hierarkisë partiake. Ka dyshime të mëdha që kjo arrihet dhe nuk funksionon siç duhet, i kemi diskutuar në media, keni parë procesin e primareve, diskutimet që janë bërë aty brenda, por është e nevojshme që PD të japë shembull që organizohen zgjedhje transparente brenda vetes, sepse ashtu njerëzit më pas të të besojnë, e të mbështesin në numra të tillë që të jesh alternativë qeverisje.
E rëndësishme të kthehet ndershmëria në garat e brendshme, nëse nuk kthehet, ajo e keqja të gjëmon me vite dhe vetëm trashet e zmadhohet dhe kthehet në problem të pagëlltishëm. Pastaj kthehemi në një situatë si kjo, të kesh një qeveri të kalbur e të korruptuar dhe të mos kesh hapësira për të bërë reagime të forta opozita. Kjo vjen si rrjedhojë e këtyre lloj zgjedhjeve jo transparente, jo aty ku ka dashur votuesi dhe kur njeriu e kupton që votimi s’ka vlerë, se pastaj rregullohet nga disa mjeshtra lart, ftohet, zbehet, largohet nuk të mbështet me.
Dua që PD të garojë e fortë përballë PS dhe të kthehet në garë fitues dhe jo të diskutojmë vetëm analizë humbje. Mund të bëjmë dhe analizë fitoreje, ka zona që janë fituar në zgjedhjet e 11 majit. Do kjo edhe një analizë, do të kuptohet se çfarë u arrit këtu. Po nuk i ftove këta njerëz në grup pune, për të kuptuar se si kjo u arrit, atëherë nuk e bën dot”, tha Alimehmeti.




















