Albin Kurti Kreu i Vetëvendosjes dhe njëkohësisht Kryeministri i Kosovës, këtë të hënë u është drejtuar me një mesazh falenderues të gjithë votuesve të partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën dje në Kosovë, dhe që i dhanë mundësinë të krijojë qeverinë pa opozitën.
Kurti tha se puna vazhdon, dhe premtoi se siguria e begatia do të shtohet.
“Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara e mijëra dyer të hapura nga ju në qindra takime e tubime anembanë. Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falenderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e dimë emrin. U angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj. Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika e nga çdo cep i botës që votuat me postë apo fizikisht pardje në ambasadat e konsullatat tona, u jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri e shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri fitoren në këto zgjedhje aq madhështore saqë historike. Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, shkruan Kurti.




















